Pak javë më parë emri i Emin Haziri, masterchefi me origjinë shqiptare që po merr super famë në Itali, u bë i njohur jo vetëm për shkak të punës, por dhe historisë personale të familjes së tij. Historisë së Emin Hazirit, mediat italiane i kushtuan shumë hapësirë, për shkak se është tipikja e emigrantit që ja del vetë, me shumë mund, që të ngjitet në krye të elitës së gastronomisë italiane dhe asaj botërore.
29 vjeçari Emin Haziri, me një yll Michelin në CV, është shpallur nga Forbes si kuzhinieri më i mirë nën 30 vjeç në Itali dhe më 7 qershor inauguroi restorantin e tij "Procaccini" në Milano.
Ndaj, në cilësinë e një ish-refugjati “24 karat”, Emin Haziri, i është “turrur” keqazi kryeministres italiane Meloni në lidhje me politikat e qeverisë italiane për refugjatët.
View this post on Instagram
“Mendoj se mikpritja duhet të mësojë, të japë diçka më shumë dhe të organizojë jetën e emigrantëve bazuar në jetët tona në Evropë. Nuk mund t’i marrësh njerëzit dhe t’i fusësh në një qendër pritjeje dhe t’i harrosh atje. Por fatkeqësisht sot shumë e bëjnë këtë”.
Shefi i kuzhinës @emin_haziri, i lindur në Kosovë në vitin 1995, hapi restorantin e tij në qershor të këtij viti, në zemër të kryeqytetit lombard. Kulmi i një karriere nën kujdesin e kuzhinierëve të rëndësishëm me yje Michelin si Cannavaçiuolo Bistrot në Torino.
Mirëpo, e kaluara e Hazirit ishte krejt e kundërta e fjalës lineare. Pas përjetimit të luftës në Kosovë, familja vendos të migrojë në Itali përmes rrugës ballkanike.
“Tri ditë e tre netë në makinë, duke ecur në pyll. Në duart e kalimtarëve, tragetet e emigrantëve të paligjshëm. Ne u larguam pa asgjë, duke i lënë gjyshërit tanë në Prishtinë. Sapo mbërritëm në Trieste, taksisti na zbriti në qendër. Po binte borë , ndjeva të ftohtin në kocka. Ishte një mbrëmje nëntori i vitit 2002, unë isha shtatë vjeç. Natën e parë fjetëm nën shkallë, të nesërmen në mëngjes shkuam në komisariat, duke kërkuar statusin e refugjatit. Babi Xhelil kishte punuar si kamarier në Gjermani, por ishte kthyer në Kosovë gjatë luftës. Nëna Hajrije është shtëpiake. Ata donin të na ofronin një të ardhme më të mirë” - kujtonte vetëm pak javë më parë për mediat italiane Haziri
“Prishtine, Bosnje, Slloveni dhe në fund Trieste. Gjithçka në këmbë”, rrëfen shefi i kuzhinës. “Isha 7 vjeç dhe ende mbaj mend që mbaja dorën e nënës sime duke ecur në heshtje.”
Kësisoj edhe historia e "kuzhinës së tij të thjeshtë, por elegante, e bërë për të kënaqur ata që ulen në tavolinë", nuk mund ta anashkalojë atë periudhë.
"Nëna ime më inkurajon që të mos harroj kurrë se kush jam dhe nga vij."
Kjo është edhe arsyeja pse Haziri e ndjek me vëmendje debatin për emigrantët:
“Ata që vijnë në Itali e bëjnë këtë për të bërë një jetë të re, por – thotë ai – Italia dhe qeveria Meloni aktualisht nuk e ofrojnë këtë mundësi. Ka shumë mbyllje ndaj emigrantëve dhe ndoshta kryeministres i mungon empatia. Nëse nuk i keni përjetuar këto probleme, e keni të vështirë për t'i kuptuar refugjatët." – thotë Haziri







