
Këngëtari i njohur kosovar, Besart Kelmendi, është liruar nga paraburgimi një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë, ku mbahej nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.
Ai ishte arrestuar fillimisht dhe mbajtur për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë, kishte caktuar paraburgim prej një muaji. Kelmendi akuzohej për disa vepra penale, përfshirë kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas burimeve, pas një jave në paraburgim, gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë, duke e liruar këngëtarin për t’u mbrojtur në procedurë të rregullt. Rasti pritet të vazhdojë të shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
Avokatët e Kelmendit kanë theksuar se paraburgimi nuk ka qenë proporcional, duke iu referuar Nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili përcakton parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë./Versus.al

