Kombëtarja shqiptare përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij cikli eliminator. Të shtunën në mbrëmje, në orën 20:45, Shqipëria do të përballet me Serbinë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Në prag të takimit, trajneri Sylvinho doli në konferencë për shtyp ku ndau mendimet e tij për kundërshtarin, skuadrën kuqezi dhe pritshmëritë nga kjo sfidë.
“Serbia është e fortë, por edhe ne kemi armët tona”
Trajneri brazilian vlerësoi cilësinë e kundërshtarit, duke përmendur disa prej emrave më të njohur të sulmit serb.
“Mitroviç, Vlahoviç dhe Joviç janë lojtarë të fortë fizikisht, Serbia është një skuadër e fortë,” – tha Sylvinho.
“Por edhe ne kemi lojtarët tanë të rëndësishëm – Brojën, Manajn, Uzunin, Nedim Bajramin – për të cilët jam shumë krenar. Presim një ndeshje shumë të bukur.”
“Shkojmë për fitore – në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka”
Sylvinho theksoi se ekipi do të futet në fushë për të marrë tre pikët, duke theksuar rëndësinë e çdo ndeshjeje në këtë fazë të kualifikueseve.
“Dëgjova edhe trajnerin e Serbisë dhe të gjithë duan fitoren. Rrugëtimi drejt Botërorit është shumë i shpejtë. Ne futemi në ndeshje për 3 pikët. Shpresojmë të kemi një ndeshje të bukur. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka, janë shumë të gjata.”
Trajneri i kuqezinjve foli edhe për përgatitjet fizike të skuadrës, duke përmendur se disa lojtarë kanë ardhur pas një sezoni të ngarkuar dhe me pushime të shkurtra.
“Shumë trajnerë ankohen për lodhjen pas sezonit, disa nga lojtarët tanë kanë vetëm 10-15 ditë pushime. Kemi bërë 5-6 ditë rresht stërvitje, dhe jemi gati për këtë sfidë.”
Sa i përket formacionit, Sylvinho u shpreh se e ka një ide të qartë për 11-shen titullare, por vendimi përfundimtar do të merret pak përpara ndeshjes.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur”
Duke folur për aspektin taktik, trajneri u shpreh se analiza është bërë me kujdes për ndeshjet e fundit të Serbisë dhe se përgatitja strategjike kryhet në stërvitje.
“Ata kanë parë ndeshjet tona, edhe ne i kemi analizuar. Nuk mendoj se ka ndonjë element surprizë. Shumica e strategjisë zhvillohet në stërvitje. Të dyja kampet kanë lojtarë të njohur në nivel botëror.” /Versus.al/







