
Katia Buchicchio, vetëm 18 vjeç, u shpall fituese e konkursit të bukurisë Miss Italia 2025, në finalen e mbajtur në Pala Savelli të Porto San Giorgio, në Marche.
Përfaqësuesja e Basilicatës u kurorëzua si më e bukura e Italisë, duke lënë pas në garën finale Asia Campanelli (Miss Marche) dhe Fanny Tardioli (Miss Umbria).
Fitorja e saj është pritur me entuziazëm në Basilicatë, ku Katia konsiderohet tashmë një shembull i përkushtimit dhe talentit. Ajo është e para Miss nga kjo krahinë që arrin të fitojë kurorën më prestigjioze të bukurisë në vend.
Kush është Katia Buchicchio-E lindur në Anzi, një komunë e vogël në provincën e Potencës, Katia është 1.75 e gjatë dhe ka përfunduar gjimnazin shkencor. Aktualisht ajo ka nisur studimet universitare për Odontologji dhe Protezë Dentare, duke treguar se përtej pasarelës ka objektiva të qarta për një karrierë në mjekësi. Përveç kësaj, ajo kultivon edhe pasionin për artin e qëndisjes, një traditë e trashëguar nga gjyshërit, që ajo e prezantoi me krenari gjatë konkursit dhe që ngjalli interes tek juria.
Finalja e Miss Italia 2025-Në natën finale konkurruan 40 finaliste nga e gjithë Italia, të vlerësuara sipas portamentit, elokuencës, personalitetit dhe përputhjes me vlerat e konkursit që prej më shumë se tetë dekadash promovon bukurinë italiane. Spektakli u shoqërua me muzikë dhe momente reflektimi mbi përfshirjen, talentin e grave dhe rolin e brezave të rinj. Shpallja e Katias si Miss Italia erdhi pas një gare të ngushtë mes tre finalisteve, ku ajo u dallua për elegancë dhe vendosmëri.
Reagimet-Reagimet nuk munguan as nga publiku, as nga rrjetet sociale, ku mijëra mesazhe dhe urime e shoqëruan kurorëzimin e saj. Edhe mediat dhe autoritetet lokale në Basilicatë e përshëndetën fitoren, duke e cilësuar si një moment krenarie për gjithë rajonin.
Një kurorë për Basilicatën-Fitorja e Katia Buchicchio-s i jep Basilicatës një vend të rëndësishëm në hartën kombëtare të konkursit. Përveç aspektit estetik, Miss Italia 2025 u pa si një afirmim i inteligjencës, ambicies dhe rrënjëve kulturore. Për Katian, kjo kurorë është një mundësi për të treguar se bukuria mund të bashkëjetojë me përkushtimin akademik dhe ruajtjen e traditave, duke e shndërruar atë në një zë të ri për gjeneratën e saj./TGcom







