POLITIKË /

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindjen: Lideri historik që e ktheu PS-në me sytë nga Evropa

"Pa ty, rruga jonë do kishte qenë shumë më e gjatë", shprehet Rama mes të tjerash në urimin e tij për 73 vjetorin e lindjes së Fatos Nanos.

Shkruar nga Versus

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindjen: Lideri historik që e ktheu

Kryesocialisti dhe njëherësh kryeministri i vendit, Edi Rama i ka kushtuar disa rreshta urimi ish-liderit të PS, Fatos Nanos për 73 vjetorin e tij të lindjes. Duke e cilësuar si “liderin historik të socialistëve”, në statusin e publikuar në rrjetet sociale, Rama shkruan se Nano ka meritën e madhe që e ktheu PS-në me sytë nga Europa.

"Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij - teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh - më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet. Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa dhe sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë. Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar”- shprehet Rama në rrjetin social.

Kujtojmë se marrëdhënia mes Ramës dhe Nanos ka patur ulje e ngritje të vazhdueshme. Herë pas here ish-kryesocialisti e akuzonte Ramën për situatën e keqe ku ndodhej vendi, ndërsa disa vite më vonë e lavdëroi për vizionin e tij në krye të vendit. Versus.al

Poll