
Pavarësisht se më shumë se 2 javë na ndajnë nga sfida “Shqipëri-Serbi” që do të luhet në Tiranë më 7 qershor për kualifkueset e botërorit, atmosfera duket e zjarrtë që tashmë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i cili ishte i pranishëm disa ditë më parë në Tiranë ku mori pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian, ka bërë një kërkesë të veçantë për trajnerin e skuadrës kombëtare të Serbisë.
Vuçiç i ka kërkuar Dragan Sojkoviçit që të vijë në Tiranë me skuadrën për të fituar ndeshjen.
“E pashë pak më parë dhe tani shoh se është përsëri këtu. Ju lutem, duartrokisni fort trajnerin serb, Dragan Stojkoviç. Legjendën e Nishit, i cili nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne sonte. Në qershor ose korrik, ai luan atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata”, tha Vuçiç, shkruan media serbe “Sport Klub”.
Shqipëria dhe Serbia ndodhen në Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026 dhe përballja mes dy skuadrave duket se është më shumë se futboll. Versus.al







