
Ishte para 30 vjetësh kur Norvegjia lëshoi një raketë për të studiuar Aurorën Boreale.
Atëherë Rusia e interpretoi atë si një raketë bërthamore me kurs të drejtpërdrejtë drejt Moskës…
Për mbi një orë, në natën e akullt të 25 janarit 1995, bota përjetoi një eksperiencë të tmerrshme, që vinte nga makthet më të këqija të Luftës së Ftohtë.
Teknikët ushtarakë që kishin rolin e patrullimit në stacionet e radarëve në gjithë veri të Rusisë vërejtën një sinjal kërcënues në ekranet e tyre.
Një raketë ishte lëshuar diku pranë bregut të Norvegjisë dhe po ngjitej lart. Ku po shkonte? Përbënte kërcënim?
Ata që monitoronin radarët e dinin se një raketë e lëshuar nga një submarin amerikan në ato ujëra mund të transportonte tetë koka bërthamore drejt Moskës brenda 15 minutash.
Mesazhi u transmetua menjëherë në hierarkinë deri te presidenti rus i asaj kohe, Boris Jelcin. Ai u bë lideri i parë në botë që hapi “valixhen bërthamore”, një portofol me udhëzime dhe teknologji për të aktivizuar kokat bërthamore, sipas BBC.
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, shtetet me armë bërthamore aplikojnë një politikë parandalimi, bazuar në idenë që nëse shtetet në luftë përdorin sulme të mëdha bërthamore, kjo do të çojë në shkatërrim të ndërsjellë.
Në atë moment të tensionuar, Jelcin dhe këshilltarët e tij duhej të vendosnin shpejt nëse do të “përgjigjeshin”.
Kërkimi i informacionit
Tregjet globale u lëkundën ndërsa politikanët, udhëheqësit ushtarakë dhe gazetarët kaluan një orë në një kërkim frenetik informacioni.
Moderator i Newsnight në BBC, Jeremy Paxman, tha: “Para se të mbyllim, duhet të përmendim se sot nuk shpërtheu luftë bërthamore, pavarësisht përpjekjeve të një agjencie lajmesh ruse. Në orën 13:46 filluan të vijnë raportime që citonin agjencinë Interfax të Moskës, sipas të cilave Rusia kishte rrëzuar një raketë që po vinte. Gazetarët, duke menduar se po shikonin Armagedonin nga afër, kontaktuan menjëherë Ministrinë e Mbrojtjes. Një zëdhënës i shqetësuar, por i qetë, deklaroi me siguri: Jam i sigurt që britanikët nuk kanë lëshuar raketa kundër Rusisë.
Më vonë, një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë konfirmoi se lëshimi ishte bërë paqësisht.
Ai ishte pjesë e një programi shkencor dhe kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave për Aurorën Boreale.
Raketa u ul ashtu si ishte planifikuar në det pranë ishullit të largët Svalbard në Arktik, shumë larg hapësirës ajrore ruse.
Pak orë pas zbardhjes se lajmi ishte i rremë, burime anonime nga Ministria e Mbrojtjes ruse thanë për Interfax se ishte “shumë herët për të thënë” nëse lëshimi kishte për qëllim testimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm me radar.
Ulja pranë dyerve të Kremlinit
Rusia ishte… e ndjeshme ndaj kapaciteteve të mbrojtjes ajrore që nga viti 1987, kur adoleshenti nga Gjermania Perëndimore, Mathias Rust, arriti të fluturonte mbi 750 kilometra, duke kaluar çdo sistem mbrojtës sovjetik me një aeroplan me një motor dhe të ulej pranë dyerve të Kremlinit.
Deri atëherë, Lufta e Ftohtë kishte mbaruar, por kjo ishte një shenjë se disa zyrtarë rusë mbeteshin të shqetësuar për kërcënimin bërthamor.
Një mesazh i humbur
“U tmërova kur mësova për vëmendjen që tërhoqi lëshimi,” tha shkencëtari norvegjez Kolbjørn Adolfsen, i cili ndodhej në një takim kur filluan të vinin thirrjet telefonike.
Më e çuditshme ishte që, javë më parë, Norvegjia kishte informuar Moskën për lëshimin e planifikuar. Adolfsen supozon se rusët reaguan sepse ishte hera e parë që një raketë për vëzhgimin e Aurorës Boreale lëshoi një trajektore kaq të lartë balistike, duke arritur 1,461 kilometra lartësi.
Megjithatë, ai tha se kjo nuk duhej të ishte surprizë.
“Më 14 dhjetor, Ministria e Jashtme dërgoi mesazh për të gjitha vendet e interesuara se do të kryheshin lëshimet,” theksoi ai.
Por për ndonjë arsye, paralajmërimi nuk arriti kurrë tek zyrat e duhura. Kjo ishte një kujtesë serioze se si një mesazh i humbur mund të ketë pasoja katastrofike.
“Momenti më i rrezikshëm i epokës së raketave bërthamore”
Shumë rusë atëherë panë si arrogante njoftimin e Jelcin se kishte përdorur për herë të parë valixhen bërthamore, që kishte për qëllim të shpërqendronte nga lufta në Çeçeni.
“Në fakt, dje përdora për herë të parë valixhen time të zezë me butonin që kam gjithmonë me vete,” kishte thënë ai për agjencinë Interfax ditën tjetër.
“Ndoshta dikush vendosi të na provojë, sepse mediat vazhdimisht thonë se ushtria jonë është e dobët,” shtoi ai.
Për një ish-zyrtar të CIA-s, ishte “momenti më i rrezikshëm i epokës së raketave bërthamore”.
Këshilltari ushtarak Peter Pry shkroi: “Asnjëherë më parë një lider i ndonjë fuqie bërthamore nuk kishte hapur seriozisht valixhen përkatëse ruse në një situatë ku ekzistonte një kërcënim real dhe ku vendimi për fillimin e Armageddon-it ishte i mundur menjëherë.”
Megjithatë, studiuesi i OKB-së për çarmatimin bërthamor, Pavel Podvig, deklaroi:
“Nëse duhej t’i vlerësoja këto raste… ndoshta do t’u jepja 3 nga 10. Ka pasur incidente shumë më serioze gjatë Luftës së Ftohtë.”
Ai supozoi gjithashtu se skenari me “valixhen” mund të kishte qenë i orkestruar për Jelcin ditën tjetër.
Eksperti rus bërthamor, Vladimir Dvorkin, deklaroi se paralajmërimi norvegjez nuk përbënte ndonjë rrezik, “aspak”.
Në vitin 1998 ai tha për Washington Post: “Edhe kur një sistem paralajmërimi dërgon sinjal për sulm masiv, askush nuk do të merrte një vendim, madje as një lider irracional që shqetësohej nga lëshimi i një rakete. Mendoj se ishte një alarm i rremë.”
Pesë ditë pas incidentit, raportet e lajmeve të BBC-së njoftuan se Rusia kishte atribuar përgjegjësinë për paralajmërimin te “keqkuptimi” që nuk duhet të përsëritet.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme deklaroi se norvegjezët vepruan sipas procedurës. Edhe pse katastrofa u shmang, mbetet shqetësuese fakti që një raketë meteorologjike pa rrezik shkaktoi një panik të tillë./Përshtati në shqip Versus.al

