
Bosnja dhe Hercegovina ka siguruar për herë të parë në histori kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës, falë kombinimit të rezultateve në Grupin C.
Fitorja bindëse e Brazilit ndaj Skocisë me rezultat 3-0 dhe triumfi i Marokut ndaj Haitit me shifrat 4-2 kanë bërë që përfaqësuesja boshnjake të sigurojë matematikisht një vend mes 32 kombëtareve më të mira të turneut.
Bosnja dhe Hercegovina e kishte kryer punën e saj më herët gjatë ditës, duke mposhtur Katarin me rezultat 3-1 dhe duke e mbyllur Grupin B në pozitën e tretë.
Pas rezultateve të së enjtes, është bërë e qartë se të paktën katër kombëtare që do të përfundojnë në vendin e tretë në grupet e tjera nuk mund ta kalojnë Bosnjën dhe Hercegovinën në renditjen e ekipeve të vendeve të treta, duke i siguruar asaj një biletë për fazën nokaut.

