E njëjta ngjarje e ndodhur pak muaj më parë, është përsëritur në Akademinë e Sigurisë të Policisë së Shtetit. Mësohet se 30 kursantë të akademisë janë helmuar nga ushqimi catering i kompanisë “Sori AL”.
Mbrëmjen e djeshme të rinjtë kanë pasur simptoma të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, ku të ndarë në grupe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.
Policia dhe AMP kanë nisur hetimet për rastin që përsëritet sërish brenda pak muajsh.
Ndërkohë në kërkim për helmimin e 56 studentëve në maj të këtij viti, është administratorja e “Sori AL”, Alma Tafani. Policia ende nuk ka mundur të bie në gjurmët e saj. Por ajo që ngre pikëpyetje është sesi kjo kompani ka vijuar shërbimin katering kur më 14 maj AKU e gjobiti me 1.5 milionë lekë dhe bllokoi aktivitetin e saj. Versus.al

