Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç foli për mediat në Serbi para se skuadra e tij të udhëtojë drejt Tiranës ku do përballet me kombëtaren shqiptare në “Arenën Kombëtare”.
Ai vlerësoi Shqipërinë si një skuadër shumë të mirë dhe të motivuar. Ndërsa tha se beson që skuadra e tij do e përfaqësojë vendin më së miri gjatë kësaj ndeshje.
“Ne ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm për futbollin e kombëtares serbe. Është fillimi i eliminatoreve, dhe çdo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm kjo ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Andorrës, Anglisë dhe Letonisë. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Do të përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë pikë, të meritojmë sa më shumë pikë, për të arritur qëllimet tona, dhe objektivi është që Serbia të jetë në Kampionatin Botëror vitin që vjen.
Të gjithë thonë, dhe unë jam dakord, që kjo ndeshje e parë është me të vërtetë shumë e rëndësishme dhe jemi shumë të përqendruar që ta nisim siç duam. Do të përgatitemi që të luajmë sa më mirë që të mundemi. Kjo, duke e respektuar përfaqësuesen e Shqipërisë që është një grup shumë I mirë, ka lojtarë shumë të mirë dhe shumë të motivuar. Gjithsesi, në fund të fundit kjo është ndeshje prej 90 minutash dhe besoj se Serbia do të jetë gati për këtë sfidë që quhet Kupa e Botës, dhe se do ta përfaqësojmë siç duhet vendin tonë në këto ndeshje”, tha Stojkoviç.
Sa i takon frikës për tensione, Stojkoviç u shpreh se nuk përqendrohet tek deklarata për të cilat ai u shpreh ‘budallenj që duan të krijojnë situatë lufte’.
“Një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ata, edhe për ne, por kjo mbetet një ndeshje. Ata janë miqtë tanë në futboll. Me ata do të organizojmë Kampionatin Europian për të rinjtë dhe këtë ndeshje ne e shohim ekskluzivisht në aspektin sportiv. Që të konkurrojmë dhe të tregojmë veten në terren, dhe në terren do të shihet kush është më i miri. Nuk mendoj për tensionet politike, as për deklaratat e tifozëve, apo për deklaratat e disa budallenjve që duan të krijojnë, si të them, gjendje lufte. Kjo nuk na intereson, dhe nuk do të ketë gjëra të tilla.
Unë jam i bindur dhe besoj që do të kemi mikpritje të shkëlqyer, që organizimi I ndeshjes do të jetë plotësisht nën kontroll. Asgjë nuk mund të ndodhë, asgjë që do të na trondiste. Nëse dëgjon apo lexon mediat mendon se kushedi çdo të ndodhë, por nga përvoja e di se mikpritja do të jetë shumë e mirë, ashtu siç do të jetë ata të vijnë këtu”, shtoi Stojkoviç. Versus.al







