Pas mbylljes së edicionit të tretë të “Big Brother VIP Albania”, atmosfera duket se vazhdon të mbetet e ndezur edhe jashtë mureve të famshme të shtëpisë më të ndjekur të Shqipërisë.
Gjatë puntatës së “Post Big Brother VIP”, Ledion Lico, me stilin e tij të njohur ironik dhe të hollë, nuk e kursi kritikat me nuanca thumbuese. Një nga deklaratat që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ajo për mungesën e Xum Allushit, ish-banorit të shtëpisë:
“Ai që pinte proteina, do fikte dritat e Big Brother. Sonte nuk është këtu, ndaj nuk e di çfarë mund të ndodhë me ato,” u shpreh moderatori.
Në një kohë kur çdo fjalë shpejt shpërndahet në rrjetet sociale, reagimi i Xumit nuk vonoi. Ai publikoi një postim të gjatë dhe personal në Instagram, ku shprehu hapur zhgënjimin e tij:
“Kam treguar respekt nga i pari tek i fundit. Nëse doni vëmendje nga unë dhe përmendni biznesin që familja ime mbështetet, ju lumtë. Por të shkelni mbi djersën time, nuk ua toleroj,” shkroi ai.
Në reagimin e tij, Xumi theksoi se proteinat e përmendura janë suplemente ushqimore të certifikuara dhe shkencërisht të provuara, duke mbrojtur jo vetëm imazhin e tij personal, por edhe biznesin familjar që ai përfaqëson:
“Si i dihet, ndoshta më ndihmon edhe nusja me lekë në të ardhmen,” shtoi ai.
Më pas, Xumi postoi një video ku tha: "Ka thënë një herë një dijetar i famshëm që armikut asnjëherë mos ia harro emrin, por ty s'ke çfarë të harrosh se ta ka vënë emrin tjetër kush."








