Një video e një elefanti nënë në Malajzi duke u përpjekur të zhvendosë kamionin që vrau të voglin e saj po bën xhiron e internetit dhe ka prekur publikun.
Sipas Daily Mail, incidenti ndodhi në Malajzinë veriore, duke shkaktuar një valë emocionesh. Incidenti tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur automjeti i rëndë u përplas me elefantin e vogël, duke e zënë në kurth nën pjesën e përparme dhe duke e vrarë.
Videoja prekëse e elefantit nënë që përpiqet të shtyjë kamionin për të liruar të voglin e saj u bë virale në rrjetet sociale dhe në media. Pas incidentit, kafsha u qetësua dhe u lirua përsëri në natyrë, sipas raporteve lokale.
Aktivistët e jetës së egër i kanë bërë thirrje qeverisë të shtojë përpjekjet për të ndërtuar kalime të posaçme në autostrada me qëllim uljen e përplasjeve vdekjeprurëse me kafshët. "Çdo vit ne jemi dëshmitarë të incidenteve tragjike ku kafshët goditen nga automjete, ndërsa kalojnë rrugët në kërkim të ushqimit ", tha Lee Lam Thye, një ish-politikan dhe aktivist, duke vënë në dukje se këto përplasje kërcënojnë jo vetëm kafshët, por edhe shoferët.







