
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme nga shpërthimi me tritol në një hyrje pallati në Elbasan.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, apartamenti ku ndodhi shpërthimi me tritol është marrë me qira para dy vitesh nga Alda Nikolli. Ndërsa së fundmi në këtë banesë prej 2 javësh është bashkuar edhe e motra e saj Xhovana Nikolli, personazh në rrjetet sociale.
Një ditë para se të ndodhte shpërthimi, ajo ka publikuar një video ku përmendte Nuredin Dumanin dhe të dashurën e tij.
“O Nuredin Dumani, mbaje atë të dashnoren tënde, se po ta kapa atë gruan në Itali o Nuredin Dumani…”- thoshte ajo në videon e postuar në TikTok.
Nuredin Dumani mbahet i arrestuar që prej majit të vitit 2022 në kuadër të operacionit "Plumbi i artë" ndërsa ka zbuluar edhe disa prej ngjarjeve ku është paguar të kryejë vrasje me pagesë.
Ndërkohë dy motrat kanë mohuar të kenë konflikte me dikë ndërsa kjo është një ndër pistat që po heton policia. Një pistë tjetër ku po heton policia janë konfliktet e mundshme të pronarit të banesës Besnik Braka alias Nik Vojakeç i cili rezulton të ketë precedent penalë. Më parë i është vrarë edhe vëllai.
Si pasojë e shpërthimit mbeti i lënduar rëndë një 26 vjeçar që jetonte në hyrjen përballë dy vajzave. Dera e banesës e zuri poshtë pas shpërthimit të fuqishëm. I riu ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në intubim. Versus.al








