Nganjëherë një dorëheqje e një futbollisti është më e rëndësishme se një dorëheqje e një ministri. Ndodhi kjo javë më parë në Zvicër, kur Xherdan Shaqiri përmes platformës X bëri me dije se nuk do të luante më për kombëtaren e Zvicrës, të cilën zviceranët e quajnë “Nati”, e që shqiptohet “naci” - dhe ky shqiptim shpesh shkakton hutim në Gjermani. Nejse, temë tjetër kjo.
Dorëheqja e Shaqirit ishte temë kryesore në gazeta, platforma digjitale, televizione, radio. U shkruan portrete, analiza, komente, u emetuan kronika, televizioni publik i Zvicrës shpërndau në rrjetet sociale një kolazh me 32 golat që Shaqiri i shënoi për Zvicrën gjatë kohës sa ishte në shërbim të kombëtares helvetike.
Që tani është e qartë se shumë gazetarëve jo vetëm të sportit do t’u mungojnë deklaratat e Shaqirit. Ato ishin vetironike, gjuhë-shkathët, finoke, pa dashje komike. Me një rast Shaqiri tha: “Banesa jonë (në Zvicër) s’kishte ngrohje. Kishte vetëm një stufë të madhe. Për ta ngrohur veten kam vrapuar si i çmendur nëpër banesë”. Kështu disi fillojnë karrierat e futbollistëve në Zvicër nëse je rritur si fëmijë i një të ashtuquajturi gastarbajteri, i cili për një rrogë të ulët duhet të punojë në ndërtimtari apo të lajë pjata në restorant.
Me gjithë këtë përvojë, Shaqiri nuk ka dashur të jetë figurë politike – ndonëse ishte shumë i popullarizuar. Në vitin 2018, pas ndeshjes emocionale dhe për t’u mbajtur mend kundër Serbisë, Shaqiri tha se familja e tij për gjithçka i detyrohet Zvicrës. “Dhe unë përpiqem që ekipit kombëtar t’ia kthej gjithë të mirat që na i ka dhënë Zvicra”.
Nga arti i lojës me top nuk ka përfituar vetëm Zvicra. Edhe një herë një deklaratë e Shaqirit: “Dua të jem shembull edhe për ata që bëjnë marrëzira, por pastaj shohin karrierën time dhe ndoshta duan të arrijnë këtë që kam arritur unë”.
Një kohë të gjatë imazhi i shqiptarëve të Kosovës në Zvicër nuk ka qenë i mirë, thënë më së buti. Disa kanë qenë dilerë droge, disa kanë plaçkitur vila njerëzish të moshuar, të tjerët kanë rrezikuar njerëzit me veturat e tyre të shpejta. Një turmë kriminelësh pati përlyer imazhin e një komuniteti të tërë. Perfide ishte se si partia e djathtë populiste SVP i futi në një thes të gjithë shqiptarët dhe qytete e treva të Zvicrës i mbuloi me posterë me përmbajtje raciste.
Fushata të tilla lanë gjurmë në çdo familje shqiptare në Zvicër. Shumë prej tyre kishin përshtypjen se në këtë vend në rastin më të mirë të durojnë, por nuk të pranojnë. Është dëshmuar edhe shkencërisht se njerëzit me prejardhje të huaj në Zvicër diskriminohen kur kërkojnë banesë. Të rinjtë me mbiemra tipikë kosovarë - Berisha, Gashi - injorohen shpesh kur duan të zënë një profesion në ndërmarrje zvicerane.
Kombëtarja e Zvicrës “është një trupë multikulturore ballkanike pa pothuaj asnjë zviceran”, shkroi para disa vjetësh një publicist provokator dhe politikan i djathtë. Thua se diversiteti është murtajë dhe homogjeniteti etnik shpëtim. Në këto qarqe as Shaqiri nuk ishte i pranuar, me gjithë golat e tij shpeshherë spektakularë për Zvicrën. Atij i mohohej përkatësia helvetike, akuzat tingëllonin bajate: thuhej se nuk po e këndonte himnin e Zvicrës se po e “bënte shqiponjën” - thua se ky gjest simbolik, që kujton prejardhjen e prindërve, na qenkësh mëkat i madh.
Me kalimin e kohës Shaqiri mësoi një gjë: t’i injorojë këto debate. Në komunitetin shqiptar të Zvicrës ai u shfaq si komet. Shumë njerëzve ai ua forcoi ndjenjën se në këtë vend suksesi është i mundur nëse punon me përkushtim dhe - edhe më e rëndësishme - nëse heq dorë nga roli i viktimës. Më 2012 Shaqirit iu nda çmimi “Prix Diaspora” i komunitetit shqiptar nga Kosova me arsyetimin se ishte shembull i integrimit të suksesshëm. Në të vërtetë ai për integrimin s’ka thënë pothuaj asnjë fjalë. Vetëm ka luajtur futboll. Kjo mjaftoi.
Rreth 15 vjet zgjati karriera futbollistike e Xherdan Shaqirit. Ndoshta ishte rastësi që në këta 15 vjet edhe integrimi i shqiptarëve të Kosovës në Zvicër përparoi më së shumti. Së fundi Google organizoi në Zürich një takim njerëzish me origjinë nga Kosova. Ata u lavdëruan për zellin e tyre dhe etjen për sukses. Ata mund të quhen “Gjenerata Shaqiri”. Me golat e tij në fushën e futbollit, ai hapi shumë dyer jashtë stadiumeve.