Nga Jean Pisani-Ferry
Bashkimi Evropian po ballafaqohet me tri kriza madhore. E para është kriza e konkurrencës që veçse ka qenë evidente qysh në fund të viteve 2010, por që është përkeqësuar, duke çuar drejt një performance pa shkëlqim në prodhim dhe rritje. Më rishtas, pushtimi i Ukrainës nga Rusia e krijoi krizën e sigurisë që ka qenë e përbërë nga marrëdhënia në përkeqësim e bllokut me Kinën. Kjo luftë po ashtu nxiti krizën e energjisë që e vë Evropën në një disavantazh relativ karshi konkurrentëve të saj kryesorë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Fatmirësisht, ekziston një shkallë e konsiderueshme konsensusi intelektual për atë se si duhet luftuar kjo krizë e trefishtë. Tri raporte të rëndësishme, të publikuara së fundi apo që ende pritet për t’u publikuar, e nxjerrin përafërsisht të njëjtin konstatim për sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa dhe madje i japin edhe rekomandimet e ngjashme për adresimin e tyre.
Raporti i ish-kryeministrit italian, Enrico Letta, i titulluar “Shumë më tepër sesa një treg” dhe i përpiluar me kërkesë të Këshillit Evropian, e nënvizon nevojën për integrim të mëtutjeshëm të tregut të përbashkët, një projekt ky që u pati konceptuar fillimisht në vitet ’80, por që është relevant edhe sot e kësaj dite. Për shembull, hulumtimi tregoi se kalimi i një kufiri kombëtar në Evropë e tkurr tregtinë ndër-rajonale të mallrave për një faktor me vlerës gjashtë. Fragmentimi është veçanërisht i theksuar në sektorët si energjia, financat dhe komunikimi elektronik, me ç’rast teksa tregtia BE-SHBA në fushën e shërbimeve digjitale e tejkalon atë përbrenda bllokut. Siç cek Letta, këta sektorë janë përjashtuar qëllimshëm nga procesi i integrimit shkaku se shtetet i kanë kualifikuar si tejet strategjike për t’i hequr nga kontrolli kombëtar. Por raporti konstaton me të drejtë se ky frenim në integrim gradualisht është shndërruar në një handikap ekonomik dhe të sigurisë.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur një tjetër ish-kryeministër italian, Mario Draghi, për ta përgatitur një raport mbi të ardhmen e konkurrencës evropiane. Publikimi i tij pritet gjatë javëve në vijim, por Draghi i ka shpalosur qasjen dhe rekomandimet e tij gjatë fjalimeve të fundit. Toni ka të ngjarë të jetë më i mprehtë ndërsa propozimet pa dyshim më radikale, krahasuar me raportin e Lettas. Në prill Draghi i kritikoi organizimin, vendimmarrjen dhe financimet e bllokut si tejet të destinuara për “një botë të së nesërmes”. Për më tepër, qasja e ngushtë kombëtare e BE-së karshi konkurrencës e ka parandaluar krijimin e kampionëve panevropianë dhe ka rezultuar në konkurrencë të brendshme midis shteteve anëtare, madje edhe në fushat si mbrojtja dhe energjia, ku ato kanë “interesa të thella të përbashkëta”. Në qershor Draghi e mbrojti parimin e një politike industriale evropiane që i përfshin tarifat dhe subvencionet – një thirrje kjo për veprim që pa dyshim se do të përfshihet në raportin e tij.
Kolegët e mi në Bruegel e përgatitën raportin e tretë, i cili është paraparë të publikohet javën e ardhshme. Këto “memorandume drejtuar udhëheqjes së BE-së” janë përpiluar asisoj që, pas zgjedhjeve evropiane, t’i ndihmojnë komisionarët dhe anëtarët e ardhshëm të Parlamentit Evropian për t’i caktuar prioritet për bllokun. Bazuar në atë që e tregoi publikimi paraprak i qershorit, raporti i ardhshëm përqendrohet po ashtu në nevojën për t’i promovuar inovacionin dhe rritjen, si dhe i thekson përfitimet nga ndërtimi i një tregu unik për energjinë dhe për heqjen e barrierave drejt një unioni bankar dhe të tregjeve të kapitalit. Por në vend të mbështetjes së integrimit tejkufitar, e mbron parimin e thellimit të tregut të përbashkët në fushat me ndikim më të madh për rritjen dhe në ato ku kthimi ekonomik qartazi i tejkalon kostot politike.
Fakti se që të tri këto raporte janë kryesisht në një linjë është mahnitës. Mbesin të përmenden kundërthëniet kryesore mbi politikat makroekonomike, hapjen e tregut dhe politikat industriale që janë vetëm disa nga të pakta mospajtimet që ngrihen normalisht. Kjo kryesisht i reflekton sfidat e pafundme ekonomike dhe gjeoekonomike me të cilat BE-ja konfrontohet sot. Lufta në Ukrainë përbën kërcënim ekzistencial, çmimet e larta të energjisë janë pengesë madhore për konkurrencën, ndërsa dështimi i bllokut në inovacion rrezikon ta shndërrojë Evropën në spektator në skenën ndërkombëtare. Edhe në rast se blloku vepron, kjo pa dyshim se nuk do të jetë e mjaftueshme për ta shmangur përkeqësimin e situatës së saj demografike dhe rënien e peshës së saj ekonomike.
Por konsensusi i ekspertëve jo domosdo përkthehet në politika. Pengesa e parë është inercia që mbizotëron në mesin e shteteve anëtare. Përderisa sfidat gjoepolitike të së sotmes janë të pashembullta, problemet e rritjes, të integrimit dhe të qeverisjes që po e pllakosin BE-në janë ditur të paktën që nga raporti i Sapirit më 2004. Dhe, megjithëkëtë, blloku ka vepruar vetëm në situata të stresit ekstrem, si në rastin e krizës së borxheve në eurozonë më 2010-2012 dhe të pandemisë COVID-19. Edhe në raste të tilla, zgjimi ka qenë jetëshkurtër. Unioni bankar, për shembull, mbetet i papërfunduar ndërsa nuk ka pasur vendim për financimin e programit të ardhshëm për rimëkëmbjes nga pandemia.
Sfida e dytë është se çdo reformë e madhe e ka një fitues dhe një humbës. Fragmentimi krijon qira dhe këto qira grumbullohen në shtete të caktuara, në kurriz të të tjerëve. Shtetet që priren të humbin më së shumti kësisoj do t’i rezistojnë më gjatë integrimit. Nuk do mend, ato mund të humbin më shumë në aspektin afatgjatë sesa që do të përfitojnë në atë afatshkurtër. Por nevojitet guxim për ta kapërcyer miopinë.
Dhe e fundit, entuziazmi evropian është i munguar, sidomos me ngritjen e nacionalizmit ekonomik, teksa qeveritë nuk duan të rrezikojnë e t’i zemërojnë votuesit e tyre. Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, janë më se jopopullorë dhe kësisoj nuk janë në pozitë që ta ofrojnë udhëheqjen e duhur për ta thyer bllokadën aktuale. Mund vetëm të shpresojmë që do të jetë Von der Leyen ajo që do të ngrihet kundër kësaj sfide.
(* Jean Pisani-Ferry, anëtar i lartë i organizatës së matjes së opinionit publik “Bruegel”, me seli në Bruksel, dhe anëtar i lartë jorezident në Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, është anëtar i Tommaso Padoa-Schioppa që vepron në kuadër të Institutit të Universitetit Evropian)