Ana Gjoka
Eksperte e komunikimit politik
Në romanin Ngadalësia, Milan Kundera na kujton se fjala “nostalgji” rrjedh nga greqishtja: nostos, që do të thotë kthim, dhe algos, që nënkupton dhimbje. Nostalgjia, pra, është vuajtja që lind nga dëshira për t’u kthyer. Në këtë etimologji duket se e gjeti veten edhe Sali Berisha, lideri historik i Partisë Demokratike, i cili u përpoq të rikthehej aty ku dikur sundonte – përpara tri mandateve të gjata socialiste.
Me një dëshirë të pangopur për ringjallje politike, Berisha kontraktoi këshilltarin e fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita, për të risjellë në versionin shqiptar atë që PD e njeh më së miri: mitingje të zhurmshme, flamuj blu që valëviten, njerëz në këmbë që brohorasin, dhe fjalime të gjata që shpesh humbin në jehonën e vetvetes. Rezultati? Shtatë mandate më pak se në zgjedhjet e kaluara.
Në këtë kontekst, ndoshta ka vend për humorin e hidhur: nëse shefi juaj është në një moshë të caktuar, mos kini frikë – nuk do t’ju zëvendësojë me Inteligjencën Artificiale. Përjashtim bën nëse është... artist, sepse siç shkruan Oscar Wilde: “Arti nuk frymëzon veprimin, por e paraqet atë si reflektim të vëzhguesit.”
Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste – në pushtet prej tre mandatesh e me synim të katërtin – zgjodhi një tjetër rrugë. Jo flamuj, jo banderola, jo fytyra deputetësh në çdo cep rruge. Në vend të kësaj, një fushatë e mbështetur mbi simbolikën e Bashkimit Evropian, flamurin shqiptar dhe muzikën popullore, u organizua në qendër të Tiranës si një spektakël i kujdesshëm artistik. Asnjë letër në dorë, por shumë imazh në mendje.
“Duhet të krijojmë një atmosferë që t’i japë fushatës një pamje më njerëzore, më të relaksuar”, tha kryeministri në një intervistë më 8 maj 2025. Në thelb, kjo është ajo që kërkon edhe publiku: më pak deklarata, më shumë ndjesi.
Njerëzit e marrin veten shumë seriozisht – kjo ndoshta vjen nga nevoja për të ndjerë rëndësi. Në këtë logjikë, shikimet, pëlqimet dhe komentet përkthehen si kapital vëmendjeje. Nuk ka rëndësi nëse je i njohur për zgjuarsinë apo për marrëzinë, për mendimin apo për humorin e lehtë. Mjafton që të të klikojnë.
Rasti i Zegjinesë, një personazh i panjohur që me një frazë banale si “Gazooo, si të ka motra ty?” arriti të hyjë në telefonat e gjithsecilit, është simptomatik për mënyrën si funksionon algoritmi i famës në epokën e TikTok-ut. Nuk shpiku rrotën, por e bëri të rrotullohej për të.
Asgjë e re, do të thoshin socialistët. “Edhe në botë kështu ndodh.” Dhe kanë të drejtë.
Volodymyr Zelensky, ish-aktor dhe komedian, u bë president i Ukrainës duke përdorur me mjeshtëri rrjetet sociale. Ai ndërtoi një profil të një qytetari të zakonshëm, përmes videove satirike dhe mesazheve kundër korrupsionit. Ato video sot duken si paralajmërime të një lufte të ardhshme – të njëjtin lloj propagande vizuale, të përqendruar tek ndjenja, e përdorin edhe palët shqiptare, por për qëllime më pak ekzistenciale.
Lulzim Basha, ish-kryetar i PD-së dhe tani udhëheqës i një grupimi tjetër, zgjodhi një qasje ndryshe: 30 video në Instagram, me thirrjen “O Ramë”, të cilat grumbulluan 9 milion shikime. Nuk kaluan pa përgjigje: Kryeministri e shndërroi në një serial komik me titull “Zgjimi i Lulit”, me 3.7 milion shikime. Në këtë betejë të algoritmeve, Ironia bëhet armë.
Edhe teknologjia hyri fuqishëm në lojë: videot me Inteligjencë Artificiale, ku liderë politikë shndërroheshin në karikatura, u bënë virale. Pastaj erdhën bufat, krimbat dhe kënetat – metafora vizuale të përdorura nga vetë kryeministri dhe ndjekësit e tij, të shpërndara masivisht si simbolikë e denigrimit të kundërshtarit.
Këto metoda nuk janë shpikje shqiptare. Barack Obama e nisi trendin modern të digjitalizimit të fushatës në vitin 2008, me platformën MyBO.com, ku qytetarët mund të regjistroheshin, të dhuronin dhe të angazhoheshin. PS e ndoqi shembullin në 2013 me Rilindja.net – një platformë që për herë të parë e bëri fushatën të duket si proces komunikimi, jo si mobilizim i verbër.
Emmanuel Macron e ngriti më tej: lëvizja “En Marche!” funksiononte si startup, pa burokraci, por me vullnetarë të motivuar dhe me analiza të dhënash në kohë reale për të testuar çdo mesazh.
Microtargeting-u dhe etika e manipulimit
Në këtë epokë të profilizimit digjital, microtargeting-u është bërë normë. Duke analizuar të dhëna personale si mosha, vendbanimi, preferencat dhe ndërveprimet online, partitë krijojnë mesazhe të personalizuara për grupe të caktuara votuesish. Kjo sjell efikasitet të lartë në mobilizim, por hap edhe dyert e rrezikut: manipulimit emocional, shkeljes së privatësisë, dhe dobësimit të autonomisë qytetare.
Ndaj, përdorimi i teknologjive të tilla duhet të shoqërohet me transparencë, rregullim ligjor dhe respekt për dinjitetin e votuesit.
Dyzetmijë dollarë për dy mandate
Në një treg të klikimeve, sa kushton një vend në Parlament?
Agron Shehaj pagoi 40.816 dollarë për fushatën e tij në Facebook, nga 10 shkurti deri më 10 maj. Rezultati? Dy mandate. Partia Demokratike shpenzoi 39.839 dollarë për të siguruar 50 mandate.
Ndërsa Partia Socialiste, që siguroi shumicën, deklaroi vetëm 249 dollarë shpenzime. Lëvizja “Bashkë”, me 980 dollarë, dhe Lulzim Basha, me 6.839 dollarë, mbetën modestë në kosto.
Krejt ndryshe, Tom Doshi nuk harxhoi asnjë cent në media sociale dhe arriti të sigurojë 3 mandate – duke e konfirmuar se në Shqipëri, algoritmi funksionon, por nuk është gjithmonë vendimtar.
Partia “Bashkë”, me Arlind Qorin në krye, demonstroi se kreativiteti mund të kompensojë buxhetin. Me dëshmi video nga kandidatët, me një biçikletë dhe një rimorkio me posterin e liderit, ata e ndërtuan një narrativë ndryshe – minimaliste, e sinqertë dhe në rrugë. Dhe e futën veten në Kuvend, ndonëse jashtë logjikës së mediave tradicionale. E pikërisht për këtë arsye, ndoshta edhe më fuqishëm.
Në fund të ditës, fushatat nuk janë më vetëm beteja fjalësh.
Janë ndeshje narrativesh, spektaklesh, algoritmesh dhe vëmendjeje. Në këtë realitet të ri, nuk fiton më domosdoshmëri ai që flet më fort, por ai që dëgjohet më gjatë.
Ndoshta, në këtë kontekst, politika shqiptare po bëhet më shumë storytelling sesa strategji – një tregim i përbashkët, ku personazhet ndryshojnë, por fabula mbetet: kush e zotëron algoritmin, është një hap përpara.