OPINION /

Si të merreni me populistët, udhëzues për drejtuesit e kompanive

Kompanitë perëndimore po përpiqen me ngulm që të ulin varësinë nga Kina, dhe prandaj u janë drejtuar shteteve si India dhe Meksika. Shefat nuk shohin shumë shpresë as në vendet e tyre perëndimore. Tashmë, qeveritë nuk po pyesin se çfarë mund të bëjnë ato për biznesin, por se çfarë mund të bëjë biznesi për ta. Korporatat e mëdha perëndimore po mësojnë të përshtaten me një botë ku suksesi i tyre mund të kthehet në dëshirën e një qeverie. Tashmë po marrin formë skicat e këtij libri të ri rregullash.

Shkruar nga a.b.

Si të merreni me populistët, udhëzues për drejtuesit e

Bizneset perëndimore po mësojnë si të përshtaten me politika të paqëndrueshme elektorale në mbarë botën, shkruan The Economist

Këtë vit, shefat e kompanive perëndimore do të jenë të zënë me telefonata të panumërta për të përgëzuar politikanët e botës. Në vitin 2024, do të mbahen zgjedhje në rreth 80 shtete të botës, ku banojnë gjithsej 4 miliardë njerëz.

 

Disa drejtues mund të kenë përgatitur tashmë urimet e tyre formale për kryeministrin Narendra Modi, i cili e ka pothuajse të sigurt se do të fitojë një tjetër mandat si kryeministër i Indisë, në një proces votimi që ka nisur tashmë dhe që zgjat disa javë.

Pas zgjedhjeve që do të mbahen në Meksikë në qershor, drejtuesit e korporatave presin të urojnë Claudia Sheinbaum-in, pasardhësen e presidentit të tanishëm meksikan, Andrés Manuel López Obrador.

Kompanitë perëndimore po përpiqen me ngulm që të ulin varësinë nga Kina, dhe prandaj u janë drejtuar shteteve si India dhe Meksika.

Por asnjë perspektivë elektorale nuk duket se është plotësisht e kënaqshme për to. Për shembull, kryeministri Modi e ka shndërruar Indinë në një shtet ku mund të kryhet biznes më lehtësisht se më parë, duke thjeshtuar sistemin e taksave dhe duke investuar në infrastrukturë, por nga ana tjetër, ai ka rritur tarifat për mallrat si makinat dhe ka rritur përparësinë tatimore të kompanive vendase ndaj atyre të huaja.

Presidenti i Meksikës, López Obrador, ka shtetëzuar asetet e firmave perëndimore në industri të ndryshme, nga materialet e ndërtimit, deri tek energjia, dhe nuk ka arritur të godasë siç duhet grupet kriminale në vend.

Indonezia, një tjetër treg që ka qenë në shënjestër të drejtuesve perëndimorë, zgjodhi në shkurt një udhëheqës populist me emrin Prabowo Subianto, që normalisht, nuk pritet të jetë shumë miqësor ndaj bizneseve të huaja.

Shefat nuk shohin shumë shpresë as në vendet e tyre perëndimore. Nuk ka shumë që e pëlqejnë idenë e fitores së Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, i cili e ka përshkruar veten si “njeriu i tarifave”, pavarësisht se ka pretenduar se do shkurtojë burokracinë.

Shefat gjithashtu nuk janë shumë të sigurt për presidentin Joe Biden, i cili ka thënë se mund të rrisë taksat e korporatave dhe fajëson bizneset e pangopura për inflacionin kokëfortë. Në Britani, konservatorët në pushtet sulmojnë kompanitë që kërkojnë të ruajnë tregtinë me BE-në.

Megjithatë, shumë gjigantë të korporatave nuk mendojnë se laburistët që pritet të marrin pushtetin këtë vit, do të mbrojnë interesat e tyre. Partitë nacionaliste që janë armiqësore ndaj tregtisë së lirë, pritet të marrin më shumë pushtet në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve në qershor.

Një parti e tillë populiste pritet të fitojë zgjedhjet e ardhshme kombëtare në Austri.

Si të merreni me populistët, udhëzues për drejtuesit e

Prirja afatgjatë është e qartë. The Economist, duke përdorur të dhënat nga grupi kërkimor Manifesto Project, shqyrtoi qëndrimet ndaj sipërmarrjes së lirë në manifestet e partive politike, në 35 shtete perëndimore, duke filluar nga viti 1975 deri në 2021, viti më i fundit i disponueshëm (shih grafikun 1).

Në analizën e marrë, ne përdorëm një mesatare pesëvjeçare, ku përjashtuam partitë që fituan më pak se 5% të votave.

Zbuluam se në vitet 1990, ide të tilla si zbutja e ligjeve rregullatore, privatizimi, tregtia e lirë dhe politika të tjera të ngjashme që sjellin gëzim në zemrat e biznesmenëve, vlerësoheshin pothuajse dy herë më shpesh sesa kritikoheshin. Ndërsa tani, politikanët kanë më shumë gjasa t’i hedhin poshtë këto ide, sesa t’i mbështesin ato.

Çdo miqësi e mbetur ndaj biznesit, nuk buron më nga besimi se ajo çka është e mirë për biznesin, është e mirë për qytetarët, dhe për rrjedhojë, për perspektivat e politikanëve të zgjedhur prej tyre.

Tashmë, qeveritë nuk po pyesin se çfarë mund të bëjnë ato për biznesin, por se çfarë mund të bëjë biznesi për ta. Korporatat e mëdha perëndimore po mësojnë të përshtaten me një botë ku suksesi i tyre mund të kthehet në dëshirën e një qeverie. Tashmë po marrin formë skicat e këtij libri të ri rregullash.

Pika e nisjes është grumbullimi i njohurive. Shefat po u drejtohen shoqërive të posaçme këshillimore si Dentons Global Advisors (DGA), McLarty Associates dhe Macro Advisory Partners (MAP), të cilat premtojnë se mund të zbërthejnë politikat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Shoqëritë e mëdha këshillimore si McKinsey dhe bankat e investimeve si Lazard dhe Rothschild & Co, ofrojnë këshilla të ngjashme. Në to punojnë këshilltarë, shpesh ish-zyrtarë të qeverisë, që i ndihmojnë kompanitë të kuptojnë llogaritjet politike dhe kufizimet e politikave të ndryshme qeveritare.

Leksione për shefat

Në këtë mënyrë, shefat e kompanive mund të mësojnë se për cilat ndryshime politike duhet të shqetësohen më tepër. Për shembull, mendoni se çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të Amerikës.

Shefat e korporatave mund të jenë të sigurt se armiqësia ndaj Kinës do të vazhdojë, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në nëntor.

Zoti Biden, duke dashur të mos duket i butë ndaj rivalit ekonomik të Amerikës, është bërë gjithnjë e më i ashpër. Në prill, ai bëri thirrje që të trefishoheshin tarifat për çelikun dhe aluminin kinez, nga 7.5%, dhe njoftoi se do të niste një hetim për ndërtuesit e anijeve kineze që kanë përfituar subvencione.

Më 24 prill, ai nënshkroi një projektligj që do të ndalojë aplikacionin TikTok në Amerikë, nëse pronari kinez nuk e shet aplikacionin te zotërues të tjerë që nuk kanë interesa kineze. Megjithëse zoti Trump mund të kërkojë të shkëpusë ekonominë amerikane nga ajo kineze më shpejt se sa zoti Biden, të dy do të ndjekin të njëjtën rrugë.

Si të merreni me populistët, udhëzues për drejtuesit e

Një fitore për zotin Trump mund të jetë më e rëndësishme për bizneset e shtrira përtej Atlantikut, mendon Kate Kalutkiewicz nga firma këshillimore McLarty Associates.

Nëse ai vendos një tarifë prej 10% për të gjitha importet e mallrave, pavarësisht nga origjina e tyre, siç ka kërcënuar të bëjë, atëherë ka shumë të ngjarë që edhe Europa të hakmerret dhe t’ia kthejë Amerikës me të njëjtën monedhë, mendon Sir Mark Sedwill, një ish-drejtues britanik i shërbimit civil, që tani punon në firmën këshillimore Rothschild & Co.

Sipas vlerësimeve nga Banka Morgan Stanley, në vitin e kaluar, firmat e listuara amerikane, fituan rreth një të tetën e të ardhurave të tyre në Europë, rreth tri herë më shumë se sa fitimet që nxorën në Kinë (shih grafikun 2).

Firmat europiane, që nxjerrin rreth një të pestën e të ardhurave në Amerikë do të goditeshin edhe më rëndë.

Edhe bizneset amerikane që kanë filluar të mbështeten në prodhimin në Meksikë janë të frikësuara nga mundësia e ardhjes në pushtet të Donald Trump. Ky i fundit ka pretenduar se deficitet tregtare janë “për dështakët”, kështu që mund të shënjestrojë deficitin tregtar të Amerikës me Meksikën, që arriti një rekord të lartë vitin e kaluar.

Marrëveshja tregtare që ai bisedoi me Meksikën dhe Kanadanë në vitin 2018 do të rishqyrtohet në vitin 2026. Nëse Trump mbyll kufirin e vendit për të përmbushur premtimin për ndaljen e emigracionit të paligjshëm, nga kjo do të vuante edhe tregtia.

Hartimi i skenarëve të tillë i ndihmon bizneset që të baraspeshojnë rreziqet e ndryshme me përfitimet, argumenton Ed Reilly, shefi i shoqërisë këshillimore DGA. Firmat mund të ngurrojnë që të bëjnë zotime të mëdha, mbarëvajtja e të cilave varet nga rezultati i zgjedhjeve, vëren Nader Mousavizadeh, i cili drejton firmën këshillimore MAP.

Sidoqoftë, disa kompani nuk janë të kënaqura vetëm me vëzhgimin e gjendjes politike. Siç shprehet drejtuesi i një firme këshillimore, ndërhyrja e politikanëve krijon pasiguri, por gjithashtu mund të sjellë përfitime kur politikanët mbrojnë interesat e firmave të caktuara.

Kjo nuk duhet të jetë aq flagrante sa pjesëmarrja në një darkë në Mar-a-Lago, resortin e Donald Trump. Por për shembull, në mars, kompania amerikane e prodhimit të çipave Intel, mori një grant prej 8.5 miliardë dollarësh nga qeveria federale.

Që nga viti 2021, drejtuesi Pat Gelsinger është përpjekur me zell që t’i prishë mendjen presidentit Joe Biden, duke e portretizuar kompaninë e tij Intel, si zgjidhjen më të mirë të përpjekjeve amerikane për të ulur varësinë e vendit nga gjysmëpërçuesit e prodhuar në shtete të rrezikuara, si Tajvani.

Përveç deklaratave patriotike, kompania ka dyfishuar shpenzimet për lobim, duke i rritur ato në 7 milionë dollarë vitin e kaluar, sipas të dhënave nga organizata jofitimprurëse OpenSecrets. Këto përpjekje për joshje, duket se kanë dhënë rezultate.

Gina Raimondo, sekretarja amerikane e Tregtisë, tani e quan kompaninë Intel “kampionin tonë”.

Kompani të tjera, dhe jo vetëm ato amerikane, kanë qenë të zëna duke u marrë me Kongresin në Capitol Hill. Kompania Volkswagen, që vitin e kaluar u bë prodhuesi i parë i makinave të huaja që fitoi të drejtën për uljen e taksave të qeverisë federale për automjetet elektrike, pothuajse e ka trefishuar buxhetin e lobimit që kur Joe Biden erdhi në pushtet.

Një emisar në Uashington thotë se e ka kaluar pjesën më të madhe të mandatit të Donald Trump, duke ndihmuar klientët e shoqërive këshillimore, që të përfitojnë përjashtime nga tarifat dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe gjatë presidencës Biden.

Midis viteve 2020 dhe 2023, numri i lobistëve u rrit nga 11,500, në pothuajse 13,000 veta.

Nuk është vetëm Amerika

Kjo gjendje nuk vihet re vetëm në Amerikë. Një i dërguar biznesi në Bruksel, thotë se ka qenë shumë i zënë me klientët që përpiqen të përfitojnë nga përpjekjet e BE-së për dekarbonizim.

Kompanitë perëndimore kanë qenë gjithashtu të zëna duke u përpjekur të provojnë vlerën e tyre përpara kryeministrit indian Modi dhe rrethit të tij të ngushtë, thotë Teddy Bunzel në firmën Lazard.

“Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq i rëndësishëm afrimi me politikën qeveritare, për suksesin e një kompanie në Indi”, shpjegon zoti Mousavizadeh. Pas takimit me zotin Modi vitin e kaluar, CEO i Apple, Tim Cook, postoi në Twitter se ai ndante “vizionin e ndikimit pozitiv që teknologjia mund të ketë në të ardhmen e Indisë”.

Disa kompani perëndimore, përfshirë Apple, po kërkojnë të përfitojnë duke hapur fabrika në Indi, sepse në këtë mënyrë, mund të marrin edhe subvencione. Të tjerë po zgjedhin t’u bashkohen kampionëve kombëtarë të Indisë.

Për shembull, në shkurt, gjiganti mediatik amerikan, Disney, njoftoi se do të bashkonte biznesin e tij indian me Viacom18, krahun mediatik të konglomeratit indian Reliance Industries.

Kompania gjigante energjetike franceze TotalEnergies, ka bashkuar forcat me kompaninë Adani Group, një gjigant industrial që ka marrëdhënie të mira me kryeministrin Modi.

Pozicionet më të mira

Jo të gjithë politikanët janë njëlloj të hapur ndaj propozimeve. Zoti Bunzel thotë se ka qenë e vështirë të krijosh lidhje me presidentin meksikan López Obrador, i cili është armiqësor edhe me shefat e kompanive meksikane. Por ama nuk është e pamundur.

Vitin e kaluar, presidenti meksikan kishte thënë se do të ndalonte kompaninë amerikane Tesla, që të ndërtonte një fabrikë në veriun e thatë të Meksikës. Ai ndryshoi qëndrim pas një telefonate me shefin e Tesla-s, Elon Musk, i cili i premtoi se do të përdorte ujë të ricikluar.

Shumë shefa besojnë se zonja Sheinbaum që pritet të jetë presidentja e ardhshme e Meksikës, do të jetë më pragmatike se paraardhësi në marrëdhëniet me biznesin.

Servilizmi ndaj qeverive nuk është garanci për sukses. Çmimi i aksioneve të kompanisë Intel, ra me 9% më 26 prill, pasi u parashikua një rritje e dobët në shitje dhe fitime.

Subvencionet bujare të zotit Biden nuk do ta ndihmojnë shumë atë për të fituar terrenin që ka humbur ndaj rivalëve, kohët e fundit. Për më tepër, ndërsa politika po bëhet gjithnjë e më e ndarë, kompanitë që shihen sikur i përkasin ndonjë kampi të caktuar politik, mund të ndodhen në vështirësi nëse pushtetin e merr në dorë kampi kundërshtar.

Sidoqoftë, ndërsa politikanët kudo në botë po përkulin tregjet sipas vullnetit të tyre, shumë drejtues nuk do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë joshjes së pushtetit. Pavarësisht gjithë shqetësimeve që mund të kenë kompanitë britanike për Partinë Laburiste, ata i blenë brenda 24 orëve të gjitha biletat e disponueshme për në konferencën e ardhshme të partisë, të quajtur “Dita e Biznesit”.

Sepse, siç vë në dukje Grégoire Poisson nga firma këshillimore DGA: “Nëse nuk jeni i ulur në tavolinë, do të jeni në menu”. /Monitor

 

 

 

Poll