Krijimi i platformave “podcast” duket se tashmë është në modë edhe në Shqipëri ku personazhe të botës së medias ose jo, kanë hapur podcastet e tyre me të ftuar, shpesh herë të përsëritshëm.
Por nga kjo frymë e “podcasteve” është prekur edhe politika, duke nisur fillimisht nga kryeministri Edi Rama i cili ka plaftormën e tij "Flasim" ku fton personazhe të ndryshëm e deri tek Ilir Meta i cili së fundmi ka vendosur të hapë podcastin e tij të titulluar “Podcasti i Lirisë” që përkon edhe me emrin e partisë të cilën ai drejton.
Meta ndodhet në Jalë ku po merr pjesë në kampin veror të përvitshëm të organizuar nga të rinjtë e partisë së Lirisë (ish-LSI). I pyetur nga një prej anëtarëve të Lëvizjes Rinore për Integrim për shprehjen e tij të preferuar, Meta u përgjigj me të njëjtën të cilën tashmë e ka bërë zakon ta përdorë në çdo video ku shfaqet duke eksploruar territore të ndryshme të vendit.
“Këtë verë që e kam kaluar në disa nga zonat më të bukura që nuk i kisha eksploruar më parë. Populli ka një shprehje “sipas vendit edhe Kuvendit”. Shprehja e preferuar është “mallet tona më të larta, ujërat tona më të kaltra”- u shpreh kreu i Partisë së Lirisë. Versus.al








