POLITIKË /

Arlind Qori zyrtarizon kandidaturën për bashkinë e Tiranës: Fitorja jonë, do ishte sinjal shprese

Nëpërmjet një deklarate në sheshin Skënderbej, Arlind Qori u shpreh se kryeqyteti ka nevojë për të qenë i jetueshëm dhe i shëndetshëm. Ndërsa theksoi se një fitore e Lëvizjes Bashkë do ngjallte shpresë për ndryshim në gjithë vendin.

Shkruar nga Versus

Arlind Qori zyrtarizon kandidaturën për bashkinë e Tiranës:

Lëvizja Bashkë, partia e re opozitare e cila arriti të siguronte një mandat në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor për kryeqytetin.

Do të jetë sërish kryetari Arlind Qori ai që do të kandidojë për kreun e bashkisë. Ky lajm u njoftua gjatë një takimi të mbajtur nga Lëvizja Bashkë në sheshin “Skënderbej”.

“Arlind Qori, ALTERNATIVA E VËRTETË PËR TIRANËN

Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.

Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë. Prandaj Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës.

Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë!”, shkruan Lëvizja Bashkë në rrjetet sociale.

Deri më tani dy figura janë zyrtarizuar si kandidatë për bashkinë e Tiranës, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë dhe Ogerta Manastirliu e Partisë Socialiste. Kujtojmë se Qori arriti të dilte i treti në zgjedhjet lokale që u zhvilluan më 14 maj të vitit 2023 kur garoi përballë Veliajt dhe Belind Këlliçit dhe siguroi mbi 18 mijë vota me një fushatë tejet modeste. Versus.al

Poll