Mosmarrëveshjet mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nuk kanë përfunduar. Partia Demokratika ka depozituar një kërkesë në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me logot dhe simbolet e partisë, që të hiqen nga zyrat me qira të koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës. Për këtë, ata kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e policisë së shtetit.
Kërkesa është depozituar nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, më 21 mars. Mësohet se kërkesa i është drejtuar KQZ-së, si dhe Policisë së Shtetit.
Sipas kërkesës së demokratëve, përdorimi i simboleve në ambiente publike, në fazën kur fushata zgjedhore nis për pak javë, po dëmton interesat e ligjshme të subjektit. Po ashtu, kërkohet se ky ambient privat nuk duhet të konsiderohet si zyrë elektorale e PD-së.
Kërkesa e PD, drejtuar KQZ-së:
Kjo kërkesë e jona ka të bëjë me aspekte të dezinformimit dhe të (keq)përdorimit publik nga disa individë të simboleve, logove dhe emblemës së Partisë Demokratike, simbole të cilat ka edhe subjekti zgjedhor “Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore” PD-ASHM, koalicion zgjedhor i cili udhëhiqet nga Partia Demokratike.
Konkretisht, shqetësimi ynë vjen pas raportimeve nga degët tona në terren, ku konkretisht jemi informuar se në Njësinë nr. 5 në Tiranë, në Rrugën Nikolla Tupe, ekziston një ambient privat i veshur me simbolet e vjetra të Partisë Demokratike, të cilat prej shumë kohësh nuk përdoren subjekti ynë politik (bashkëngjitur fotot e ambientit në fjalë).
Përdorimi i këtyre simboleve në ambiente publike, në fazën kur fushata zgjedhore zyrtare nis për pak javë, po dëmton interesat e ligjshme të subjektit tonë. Nga ana tjetër, ky ambient privat nuk duhet të konsiderohet (qëllimisht apo gabimisht) si ambient / zyrë elektorale e PD nga ana e KQZ.
Ndaj, po i drejtohemi KQZ që nëpërmjet Inspektorëve të saj në terren, si dhe duke informuar edhe Policinë e Shtetit, të konstatojë këtë fakt dhe të merren masat e duhura administrative dhe ligjore, për heqjen e menjëhershme të këtyre simbole, stemave dhe logove jo-zyrtare të PD". /Versus.al/








