Një pjesë e programit elektoral të PS i ishte kushtuar edhe çështjeve sociale si nevoja për strehimin e familjeve në nevojë. Kryeministri Edi Rama tha se gjatë mandatit të ardhshëm do të investohen 300 milionë euro në strehimin social duke synuar që të dorëzohen 50 mijë banesa.
Më tej tha se do të ketë një plan të caktuar për lehtësira ndaj çifteve të reja të cilat shteti ka interes që t’i mbajë në Shqipëri duke pasur parasysh dhe faktin që janë profesionistë në fusha të caktuara.
“Do të investojmë 300 milionë euro në strehim social me synimin për 50 mijë çelësa, 50 mijë dyer. Nga një anë për çiftet e reja, me një program krejt të veçantë për profesionistët e fushave që kanë interes të drejtpërdrejtë publik dhe që duam t'i mbajmë në Shqipëri.
Kemi nisur me mjekët, kemi nisur me mësuesit, kemi nisur me punonjësit e policisë, kemi nisur me ushtarakët.
Do ta thellojmë këtë edhe për profesionistët në sektorin privat, profesionistët e rinj dhe ata që duan të kthehen nga emigrimi. Dhe nga ana tjetër, do të investojmë duke filluar nga kampusi i Universitetit të Durrësit në kampuset universitare rezidenciale ku studentët do të kenë mundësi të kenë dhomat e tyre”- u shpreh Rama.
Më tej iu rikthye një premtimi të kahershëm për furnizimin me ujë të pijshëm në 24 orë në gjithë vendin. Ai përsëriti argumentin e dhënë edhe më herët duke thënë se kur PS mori pushtetin, vetëm 4 zona urbane në Shqipëri furnizoheshin me ujë gjatë 24 orëve. Ndërsa tha se në mandatin e ardhshëm do të mund të realizohet që 90% e territorit të furnizohet me ujë gjatë 24 orëve.
“Vijmë tek uji, sepse edhe te uji kemi për të treguar faktet. Faktet që nuk dalin në televizor, faktet që nuk dalin në portale, faktet që mbulohen çdo ditë nga llumi i kënetës, nga moçalishtet, nga të gjithë insektet që jetojnë mbi ujin e kënetës dhe pastaj shkojnë edhe parkojnë nëpër ato, nëpër ato kashtoret e studiove televizive.
Kur ne morëm detyrën, furnizimi me ujë 24 orë ishte vetëm në 4 zona urbane, asnjë zonë rurale.
2024 ne e kemi mbyllur me 43 zona urbane dhe me 98 zona rurale, që furnizohen 24h rregullisht dhe deri në fund të mandatit të katërt, kemi këtë situatë për të adresuar: 16 zona urbane të mbetura, nga të cilat 11 janë në kantier sot që flasim dhe 37 zona rurale, që do të thotë një mbulim i përgjithshëm 90% i perimetrit të Republikës 24 orë, ndërkohë që ai 10% janë pika shumë të largëta nëpër male, që është e pamundur dhe që ekzistojnë edhe në vende të tjera”- premtoi kreu i qeverisë. Versus.al








