Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me mediat ku foli lidhur me ndikimin e bandave kriminale në sigurimin e votave për PS-në në zgjedhjet e 11 majit të cilat i konsideron ‘farsë elektorale’.
Berisha përmendi sërish, Arkend Ballën, deputetin më të votuar në qarkun e Durrësit duke e akuzuar këtë të fundit si “përfaqësues të bandës së Troplinëve”. Sipas kryedemokratit, Balla është parashikuar të jetë ministër i Brendshëm në qeverinë e ardhshme.
“Është bërë i njohur, i famshëm përfaqësuesi i kartelit Troplini, kartelit më të madh të kokainës në Europë, pas spostimit nga vendet e tjera dhe zotërimit nga ky kartel të portit të Durrësit. Përfaqësuesi i këtij karteli dhe Edi Ramës, Arkend Balla, i parashikuar si ministër i Brendshëm, njeriu që mori 5200 vota më shumë se Edi Rama në qarkun e Durrësit, është i lidhur shpirt dhe xhep me këtë kartel”- u shpreh Berisha.
Më tej kreu i PD tha se deputeti fitues në një deklaratë të pasurisë e deklaronte veten të punësuar vetëm në Universitetin e Durrësit, por sipas të dhënave rezulton të ketë qenë i punësuar në kompaninë “Nisatel” që ka marrë 900 mijë euro fonde publike brenda pak vitesh.
“Nga leximi i dokumenteve të tij, Arkend Balla, i cili pas largimit të një deputeti të PS, u fut në parlament, ka deklaruar veten të punësuar vetëm në universitetin e Durrësit. Por, po të shihet me kujdes deklarata e pasurisë së tij, rezulton se nga data 1 qershor e vitit 2021 deri me datën 5.8.2023, famozi Arkend Balla, ka qenë i punësuar në kompaninë Nisatel.
Kompania Nisatel, një nga ortakët themelues ka Sidrit Danajn, i cili sot zotëron 100 përqind të aksioneve. Kjo është një kompani që ofron shërbime interneti, telekomunikacioni, televizioni. Për periudhën 2015-2025, kjo kompani ka përfituar nga institucionet shtetërore 900 mijë euro pagesa. Nisatel është një kompani që adresën primare ku ushtron aktivitetin e ka në Vlorë, dhe kjo pas hulumtimeve, është gjetur se si Arkend Balla u përzgjodh nga kjo kompani për t’u punësuar pranë saj. Pra, Arkendi me 5200 vota më shumë se Edi Rama në këto zgjedhje krahasuar me vitin 2021, ishte i punësuari i Nisatelit”- shtoi kryedemokrati. Versus.al







