Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani, nuk ka shkuar në krye të institucionit si kandidat i opozitës, por është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës.
Duke iu referuar seancës së 11 dhjetorit në Kuvend, ku opozita tërhoqi firmat ndërsa shumica e votoi Shabanin, Berisha e cilësoi procesin “akt antikushtetues dhe antiligjor” dhe tha se PD do të ndërpresë çdo dialog me Partinë Socialiste.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Berisha njoftoi se partia e tij “ndërpret çdo lloj diskutimi, debati dhe funksioni me partinë e krimit”, siç e quajti ai PS‑në.
Sipas tij, mazhoranca ka uzurpuar institucionin e Avokatit të Popullit, duke e kaluar kandidaturën e Shabanit pa konsensus dhe duke tentuar më pas ta shesë përgjegjësinë tek opozita. Berisha theksoi se PD e njeh gabimin që bëri me dhënien e firmave dhe kujtoi se opozita i tërhoqi ato përpara votimit.
Ai u ndal edhe te Mandati i mëparshëm i Erinda Ballancës, duke theksuar se ajo “nuk ka qenë kurrë anëtare e PD, por avokate”, për të rrëzuar akuzat se opozita kontrollonte këtë post. Në fund, Berisha u kërkoi ndjesë mbështetësve të opozitës për situatën e krijuar dhe bëri të qartë se aksioni i PD‑së do të spostohet plotësisht në rrugë, me protestat si mjetin kryesor politik.
Sali Berisha: Ndërpresim çdo lloj diskutimi, debati dhe funksioni me partinë e krimit. E panë shqiptarët, akte antikushtetuese, antiligjore për të marrë Avokatin e Popullit. Zonja Ballanca nuk ka qenë kurrë anëtare e PD, ka qenë avokate. Ndaj atij akti i përgjigjemi me ndërprerjen e komunikimeve për debate për persona të caktuar, funksione të caktuara… Nuk mund të vazhdohet kur ai pa firma zgjedh dhe përpiqet gjen pastaj që e paska fajin opozita. Opozita para anëtarëve të vet njeh gabimin që bëri, opozita tërhoqi firmat. Prandaj, gjithçka
tek protesta./Versus.al


