Në dalje të godinës së SPAK ku u paraqit për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha u pyet edhe lidhur me veprimet që do të ndërmarrë PD në sesionin e ri parlamentar. Kryedemokrati deklaroi se do të ketë betejë në të gjitha frontet, duke paralajmëruar edhe për risi në aksionin opozitar.
“Opozita shqiptare do bëjë betejë në të gjitha frontet. Do bëjë gjithçka për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë. Çdo kohë ka risitë e veta”- tha Berisha.
Mes të tjerash tha se çdo vendim do të merret nga organet kolegjiale të PD dhe u kërkoi mediave që të bëjnë transparencë të plotë lidhur me aferat që rëndojnë ndaj anëtarëve të qeverisë.
“Çdo hap do të merret në kolegjialitet të plotë, në debate të hapura me deputetët dhe institucionet e PD. Por u bëj thirrje mediave të qëndrojnë fuqishëm sepse armiku numër 1 i Shqipërisë dhe shqiptarëve sot është censura. Mos mendoni ju se terrin e tmerrshëm informativ arrijnë ta zhdukin një grup i vogël gazetarësh që thonë të vërtetat. Mbi 90% e mediave për shkak të korruptimit kokë e këmbë të tyre bëjnë gjithçka për të mbuluar të zezat e qeverisë, populli mbetet në errësirë. U bëj thirrje qytetarëve të përdorin sa më shumë rrjetet sociale për transparencë”- deklaroi kreu i PD i cili nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit duke i konsideruar ato “farsë zgjedhore”. Versus.al







