
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Cërrik ku po zhvillon një takim me fermerë e kryebashkiakë lidhur me planin për zhvillimin e bujqësisë. Ai deklaroi se Banka e Shqipërisë do të japë një linjë të re kredie për bujqësinë në shumën 250 milionë eurosh.
Sipas Ramës, institucionet që duhet të mbështesin bujqësinë, kanë në fakt mangësi të mëdha.
“Kemi nevojë të rrisim impaktin e institucioneve që në letër kanë mbështetjen e bujqësisë, por në realitet ka mangësira të mëdha. Do doja që këtu të bëhet një diskutim sa më i hapur, nuk na bën punë neve që ju të flisni duke mos i thënë gjërat troç siç janë. Vetëm kështu mund të na jepni mundësinë të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë për ju”- tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh i vetëdijshëm për problemet e shumta me të cilat përballet bujqësia në vend, duke nisur nga burokracia në zyrat e shtetit.
“Unë besoj se ju harxhoni më shumë energji sesa duhet për aspekte të caktuara të punës për shkakun tonë. Mund t’ju kursehen një pjesë e këtyre energjive që të bëni siç duhet të tjera gjëra. Këtu hyjnë andrallat me burokracinë. Është një zinxhir i tërë që duhet adresuar si duhet. Që nga farat deri tek subvencionet, tek mënyra sesi bëhen apo shpërndahen subvencionet, tek asistenca që merret nga institucionet, tek mënyra si funksionojnë drejtoritë e ndryshme, tek grumbulluesit, faturat e kështu me radhë. Ne kemi bërë goxha ndryshim, por akoma nuk jemi në vendin e duhur për t’u ndjerë mirë me funksionimin e sistemit. Nëse nuk arrijmë dot t’i japim bujqësisë profilin e sipërmarrjes atyre që duan të jetojnë një fshat mundësinë që të arrijnë një fitim që ua bën kuptimplotë jetën e tyre në fshat, ne nuk e kemi kryer detyrën”- deklaroi kryeministri.
Më tej nënvizoi edhe problemet që shpesh herë bashkia ua shkakton fermerëve duke u nxjerrë procedura të panevojshme kur bëhet fjalë për projekte të ndryshme zhvillimore.
“Sipërmarrja nuk mund të jetë çështje fati, por një strukturë e tërë pune e përbashkët. Kjo kërkon sipërmarrje dhe pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje, të jetë pika e parë mbështetëse për ata që duan të kenë sipërmarrje të reja. Jo që pushteti vendor të jetë problem kryesor për të marrë një leje apo për të zhvilluar një projekt, jo është stallë, jo nuk është stallë. Një histori e paimagjinueshme për ritmin që duhet të kemi ne’- shtoi Rama. Versus.al







