Kuvendi do të vijojë ditën e sotme seancën plenare maratonë të nisur mëngjesin e djeshëm ku u diskutua rreth projektbuxhetit 2025 dhe ndikimit që do të ketë për ekonomitë familjare në vend.
Në seancën e djeshme, pati reagime nga ana e opozitës menjëherë sapo fjalën hapëse e pati kryeministri Edi Rama i cili në prezantimin e bërë për buxhetin e 2025-ës që pritet të votohet sot, u përqendrua më së shumti tek pensionistët.
Për këta të fundit, kreu i qeverisë pati një lajm të mirë duke i njoftuar se bonusi i fundvitit do të jetë 150 euro për ata pensionistë të cilët e kanë pensionin më të ulët se 20 mijë lekë dhe 100 euro për ata që e kanë pensionin mujor mbi 20 mijë lekë.
Rama gjithashtu bëri me dije se do të ketë edhe një tjetër fond për bonus pensionesh në pranverën e ardhshme, pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa ironizoi edhe organizuesit e protestave të pensionistëve para kryeministrisë.
Kjo solli reagimin e deputetëve të opozitës të cilët e akuzuan Ramën se në këtë mënyrë po përpiqej të mashtronte pensionistët për t’u marrë votat në prag të zgjedhjeve parlamentare. Debati mes tyre dhe kryeministrit nuk zgjati pasi ky i fundit e la sallën menjëherë pas fjalimit të tij.
Ndërsa seanca vijoi me diskutime rreth fushave të tjera që prek projektbuxheti të cilat pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme. Njëkohësisht kur në Kuvend të jetë duke u diskutuar buxheti, jashtë sallës opozita ka njoftuar protestë rreth orës 17:00 për buxhetin që ata e konsiderojnë si “plan që u shërben një grushti oligarkësh”. Versus.al