Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se një objektiv i qeverisjes së ardhshme të PS do të jetë ulja e numrit të deputetëve dhe reformë e re administrative për ndarjen territoriale. Ndërsa theksoi gjithashtu nevojën për një godinë të re të Kuvendit.
“Zbritja e numrit të deputetëve të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum ta diskutojmë, do të kishte vetëm impaktë pozitivë. Ky ndryshim kushtetues do të duhet të jetë një objektiv i yni. Kuvendi miraton dhe nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vetë, nuk ka pavarësi financiare, nuk ka status apo administratë të mbështetur. Madje është pa shtëpi, nuk ka një shtëpi dhe nuk ka as estetikën e një Kuvendi të një shteti kandidat.
Së treti pas 10 vitesh nga reforma administrative territorial, koha ka sjellë nevojën e rishikimit të ndarjes territoriale. Prandaj duhet të ngremë pa humbur kohë komisionin për të thelluar këtë reformë duke reflektuar ndryshimet domethënëse. Duhet të kemi cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore”- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al







