POLITIKË /

Gjykatat italiane po pengojnë marrëveshjen për emigrantët, Rama: S’kemi asnjë përgjegjësi, çështje e Italisë

Kreu i qeverisë vlerësoi punën e Melonit duke thënë se falë saj, është ulur numri i azilkërkuesve nga Afrika.

Shkruar nga Versus
Gjykatat italiane po pengojnë marrëveshjen për emigrantët,
Rama dhe Meloni gjatë samitit të BE në Tiranë

Që pas transportit të 12 emigrantëve të parë nga Bangladeshi dhe Egjipti në kampin e Gjadrit në Lezhë si zbatim i marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe shqiptare, operacioni ka “ngrirë” për shkak të përplasjeve mes Melonit dhe gjykatave italiane.

Lidhur me këto përplasje, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “La Giornale” ku tha se moszbatimi i vendimit për transportin e emigrantëve të paligjshëm nuk është përgjegjësi e palës shqiptare.

“Jo, sepse ne nuk kemi asnjë përgjegjësi në ekzekutimin e marrëveshjes, përveç asaj të dhënies së disponueshmërisë totale nëpërmjet koncesionit të juridiksionit italian në territorin e dy qendrave”- tha Rama duke theksuar se nuk komenton vendimet e drejtësisë italiane lidhur me këtë çështje.

Ai u pyet dhe për çështje të tjera, mes të cilave edhe zgjedhjet që mbahen sot në SHBA. Rama u kujdes të theksonte se nuk mbështet asnjërin prej kandidatëve.

"Unë nuk jam duke u mbështetur për askënd, por duke ditur se ajo fushatë elektorale e pafund dhe shumë përçarëse do të përfundojë më në fund, më ndihmon të marr frymë më lehtë."- u përgjigj ai.

Sa i takon kaosit në Lindjen e Mesme, Rama tha se Shqipëria është e shqetësuar për luftën ndërsa përsëriti qëndrimin e vendit tonë për krijimin e dy shteteve, atë të Izraelit dhe të Palestinës në mënyrë që rajoni të gjejë qetësi.

“Si të gjithë, shumë i shqetësuar. Ne kemi mbështetur armëpushimin në Kombet e Bashkuara dhe kemi mbështetur zgjidhjen me dy shtete për një kohë të gjatë. Por ne mbetemi të bindur se shkatërrimi i Hamasit dhe lufta pa asnjë nëse apo por Boshti i së Keqes të ndërtuar nga Irani duhet të jetë një kusht i nevojshëm për të vepruar për çdo gjë tjetër”- tha kryeministri shqiptar.

Sipas Ramës, ndikimi i Evropës në skenën globale është në rënie, por pavarësisht kësaj, burikracitë e kontinentit të vjetër po e bëjnë mjaft të vështirë zhvillimin për bizneset dhe inovacionin. Versus.al

Poll