Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot 244 milionë amerikanë më të drejtë vote zgjedhin presidentin e ri që do të kryesojë Shtëpinë e Bardhë për një mandat 4 vjeçar. Donald Trump i Republikanëve dhe Kamala Harris e Demokratëve garojnë, njëri për rizgjedhjen si president ndërsa tjetra për zgjedhjen si presidentja e parë grua e SHBA-ve. *Plot 78 milionë votues e kanë ushtruar të drejtën e parakohshme të votimit duke e dorëzuar atë me postë. Dixville Notch në New Hampshire është qyteti që ka shpallur rezultatet e para të votimit, një baazim 3 me 3 për Trump dhe Harris që tregon garën e ngushtë mes dy kandidatëve. *Zgjedhjet e sotme në SHBA priten me shumë interes në shumë shtete të botës, pasi përcaktohet edhe politika e jashtme që do të ndjekë fuqia më e madhe globale përgjatë 4 viteve të ardhshme. Trump është zotuar t’u japë fund luftrave, ndërsa Harris ka mbajtur një linjë premtimesh të ngjashme me politikat e ndjekura nga Joe Biden gjatë mandatit të tij, duke premtuar vijimin e mbështetjes për shtete dhe rajone të ndryshme. *Në një prej qendrave të votimit në Arizona, janë marrë masa tepër të rrepta për të garantuar mbarëvajtjen e procesit duke e rrethuar godinën ku votohet me tela me gjemba, sniper në çati dhe forca të shumta policie për të shmangur trazirat e vitit 2020 kur Trump pretendoi për manipulime dhe shumë qytetarë të armatosur vërshuan në qendrat e votimit.
Amerikanët nuk zgjedhin drejtpërdrejt presidentin/ Si funksionon Kolegji Zgjedhor dhe përse duhen 270 vota për të fituar?
Amerikanët me votat e tyre në kutitë e votimit gjatë ditës së sotme nuk zgjedhin drejtëpërdrejtë kandidatët presidencialë. 244 milionë qytetarët me të drejtë vote hedhin votat e tyre për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të cilët do të hedhin votat e tyre për kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë dhe zëvendësin e tij më 17 dhjetor. Ndryshe ky organ njihet si “Kolegji Zgjedhor”.
Kandidati presidencial që fiton shumicën e votave popullore në natën e zgjedhjeve nuk fiton domosdoshmërisht Shtëpinë e Bardhë. Për të fituar presidencën, një kandidat duhet të fitojë shumicën e votave në Kolegjin Zgjedhor.
Ja se si funksionon Kolegji Zgjedhor:
Kolegji Zgjedhor përbëhet nga 538 zgjedhës që përfaqësojnë të 50 shtetet dhe Distriktin e Kolumbisë.
Çdo shtet ka nga tre deri në 54 vota elektorale. Numri i zgjedhësve nga çdo shtet i caktuar përcaktohet duke shtuar numrin e përgjithshëm të senatorëve amerikanë dhe përfaqësuesve amerikanë. (DC merr tre vota elektorale - numrin që do të kishte nëse do të ishte një shtet dhe numri minimal i zgjedhësve të mundshëm për çdo shtet.)
Një kandidati ka nevojë për shumicën e votave elektorale – 270 – për të fituar.
Në 48 shtete dhe në Distriktin e Kolumbisë, të gjitha votat elektorale i jepen kandidatit që fiton një shumicë të votave popullore në atë shtet. Ky është i njohur si sistemi "fituesi i merr të gjitha". Dy shtete – Maine dhe Nebraska – nuk i japin votat e tyre elektorale sipas një sistemi fituesi merr të gjitha.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme, zgjedhësit takohen në shtetet e tyre përkatëse të martën e parë pas të mërkurës së dytë të dhjetorit për të hedhur vota të veçanta për presidentin dhe zëvendëspresidentin. Këtë vit, zgjedhësit do të takohen më 17 dhjetor. Takimi zakonisht mbahet në kryeqytetin e shtetit ose në ndërtesën e shtëpisë së shtetit.
Rezultatet e Kolegjit Zgjedhor numërohen dhe vërtetohen nga një seancë e përbashkët e Kongresit më 6 janar. Versus.al
Frika e NATO-s nga rikthimi i Trump, përgatitja për skenarin 'esktrem'

Katër vjet më parë, shumë diplomatë dhe zyrtarë ushtarakë ndjeheshin të lehtësuar pas rezultateve. Vitet e Trumpit më në fund mbaruan, që ishte një ndjenjë lehtësimi e përhapur në selinë e NATO-s. Katër vjet me radhë kreu i vendit më të rëndësishëm të NATO-s ishte i paparashikueshëm me lëvizjet e tija arbitrare.
Donald Trump la pas vete një sërë përçarjesh - nga braktisja e aleatëve në Siri dhe Irak, kaosi në Afganistan që ndihmoi talebanët, deri tek poshtërimi i shpeshtë i evropianëve prej tij. Trump kurrë nuk i konsideronte evropianët aleatë, por, sipas fjalëve të Jean-Claude Juncker, i pa ata si "figura të errëta që nuk i uronin të mirën Amerikës, një nga politikanë të paktë që arriti të bashkëpunonte me Trumpin".
Kritikat e hapura
Në hapjen e selisë së re të NATO-s në Bruksel në vitin 2017, Trump mbajti një fjalim para aleatëve ku tha: "Gjatë tetë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë për mbrojtjen se të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku,". Ai vuri në dukje se 23 nga 28 vendet anëtare të NATO-s nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Kjo goditi veçanërisht ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës nuk paguante sa kërkohej. Presidenti amerikanTrump vazhdoi me kritika, duke thënë se këtë kërkesë ia paraqiti edhe Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg, ndërsa Merkel shprehte pakënaqësinë.
Trump lavdëroi Rutte
Mark Rutte, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, tha pas marrjes së detyrës se "falë Trumpit" NATO rriti shpenzimet e mbrojtjes, gjë që i befasoi të pranishmit. Ai po ashtu tha se qëndrimin kritik të Trump ndaj Kinës, e kanë pranuar tani shumë vende të tjera.
Është e mundur që kjo deklaratë t'i drejtohet drejtpërdrejt Trumpit, duke qenë se ai është në garë të ngushtë me Kamala Harris. Ndërsa NATO këtë herë dëshiron të përgatitet për një mandat të ri të mundshëm të Trumpit. Termi "rezistencë ndaj Trump" dhe marrëveshja e tij e mundshme me Putinin ushqen gjithashtu këtë frikë.
Përgatitja për një skenar ekstrem
Marco Overhaus, një ekspert amerikan në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP), shpjegon se "ideja që NATO mund të bëhet 'e mbrojtur nga Trumpi' është një iluzion. NATO-ja vështirë se mund të përgatitet për një skenar ekstrem siç është dalja e SHBA-së nga NATO". Ai vë në dukje se raporti i angazhimeve është 75% me SHBA-në dhe 25% me Evropën.
Shpresa tek Harris
Për NATO-n, një fitore e Kamala Harrisit do të ishte një mundësi për të reduktuar varësinë nga SHBA-ja, veçanërisht në aftësitë kryesore ushtarako-teknike, si mbrojtja ajrore, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe strukturat e komandës për operacione të mëdha ushtarake.
Sipas Overhaus, Evropa duhet të mendojë edhe për përgjigjen politike ndaj "politikës së karriges bosh" të Trumpit në NATO. Në një skenar të tillë, Evropa duhet të reflektojë mbi traditat e vendimmarrjes së përbashkët dhe të përgatitet për mundësinë që Amerika të përdorë ndikimin e saj kundër vullnetit të evropianëve ose, çfarë është gjithashtu realiste, të fillohet të manipulojë aleatët e NATO-s kundër njëri-tjetrit. DW
Fjalimi i fundit i Trump para votimeve: Garoj përballë një sistemi të ligë demokrat, jo ndaj Harris
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump argumentoi gjatë tubimit të fundit të fushatës së tij se kundërshtari i tij i vërtetë në këto zgjedhje nuk ishte nënpresidentja Kamala Harris, por përkundrazi "një sistem i lig demokrat".
“Ne do ta mposhtim sistemin e korruptuar në Uashington. Sepse nuk po kandidoj kundër Kamalës, po kandidoj kundër një sistemi të mbrapshtë demokrat. Këta janë njerëz të këqij”, tha Trump gjatë tubimit të tij në Grand Rapids, Michigan, që filloi shumë pas mesnate.
“Shumica e heshtur është kthyer dhe nesër duhet të dilni dhe të votoni”, tha Trump.
“Ky ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm. Dhe është shumë e trishtueshme në një farë mënyre, sepse, ju e dini, ne i kemi bërë të gjitha këto, dhe ky është i fundit, por ja ku është lajmi i mirë, gjithçka që po bënim ishte të vendosnim veten në një pozicion për të fituar, gjë që mund ta bëjmë. nesër shumë lehtë nëse paraqitemi”, shtoi Trump në mbyllje të takimit të fundit elektoral. Versus.al
Trump apo Harris? Qyteti në New Hampshire shpall rezultatin e zgjedhjeve
SHBA- Ndërsa Donald Trump përfundoi fjalimin e tij të fundit në tubim, u publikuan rezultatet e qytetit të Dixville Notch në shtetin e New Hampshire.
Ky komunitet ka një traditë të votimit në mesnatë dhe rezultati i zgjedhjeve ka dalë një barazim tre për Harris dhe tre për Trump.
Neë Hampshire është vënë shpesh në qendër të vëmendjes nga media si një terren testimi për të përcaktuar të dyja palët kryesuese dhe deri më tani shihet se ka një barazim dhe rezultat të ngushtë mes kandidatëve. Versus.al
Tela me gjemba dhe sniper në çati, ky shtet merr masa të rrepta për zgjedhjet në SHBA

Gardh telash me gjemba, detektorë metalikë dhe roje të armatosura të sigurisë deri tek “sniper” në çati. Bëhet fjalë për masat e marra për votimin në një aeroport të Arizonas, të ngjashëm me masat që merren në një burg.
Qarku Maricopa u bë qendra e teorive të konspiracionit zgjedhor gjatë garës presidenciale 2020, pasi Donald Trump përhapi pretendime për mashtrim të votuesve kur humbi shtetin ndaj Joe Biden me më pak se 11,000 vota.
Thirrjet e tij u bënë virale dhe protestuesit e armatosur vërshuan ndërtesën ku po numëroheshin fletët e votimit dhe një mori padish dhe auditimesh synonin të kundërshtonin rezultatet. Pasojat e zgjedhjeve transformuan mënyrën se si zyrtarët këtu trajtojnë procedurën tipike të zakonshme të numërimit të votave dhe sollën një epokë të re të sigurisë së lartë.
“Ne e trajtojmë këtë si një ngjarje të madhe, si Super Bowl”, tha sherifi i kontesë Maricopa, Russ Skinner për BBC. Versus.al
Bota ‘mban frymën’, 244 milionë amerikanë zgjedhin sot mes Trump dhe Harris për kreun e Shtëpisë së Bardhë

SHBA- Sot zhvllohen zgjedhjet presidenciale për kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë, ku kandidatë janë ish-presidenti Donald Trump dhe zv.presidentja aktuale Kamala Harris. Në total 244 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rreth 78 milionë prej tyre kanë ushtruar të drejtën e votës së parakohshme duke e dërguar me postë fletën ku kanë shprehur vullnetin e tyre.
Pavarësisht shifrës totale të votave që mund të marrin kandidatët, fati i kreut të Shtëpisë së Bardhë vuloset nga vota e Kolegjit Elektoral, ku nevojiten të paktën 270 vota që të shpallet fituesi/ja.
Kujtojmë se Harris u bë kandidate e Partisë Demokratike pasi presidenti Joe Biden doli nga gara presidenciale për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Ajo ka premtuar të ndjekë të njëjtën politikë të ngjashme me Biden edhe për rajonet e tjera të globit si për Ballkanin, luftën në Ukrainë apo luftën në Lindjen e Mesme. Sa i takon premtimeve për qytetarët në SHBA ajo është zotuar të miratojë të drejtat e abortit dhe të ulët kostot e ushqimit dhe strehimit.
Nga ana tjetër, kandidati republikan Donald Trump kërkon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë duke u zotuar për mbyllje të kufirit për të shmangur numrin e lartë të emigrantëve të paligjshëm si dhe ka propozuar ulje taksash. Sa i takon zhvillimeve të jashtme, Trump ka bërë deklarata të forta duke u shprehur se nëse ai do të jetë president, brenda 24 orëve do ta zgjidhë luftën në Ukrainë. Pikëpamjet e tij mbi politikën e jashtme janë më të ashpra krahasuar me Joe Biden i cili deri më tani ka garantuar miliarda dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën për t’i bërë ballë Rusisë.
Trump e mbylli fushatën me fjalimin e tij të fundit në Michigan, njëjtë si në fushatat e mëparshme në 2016 dhe 2020. Ndërsa rivalja e tij, Harris e mbylli fushatën me anë të një fjalimi në Filadelfia. Versus.al








