
Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ndodhet në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 ka dhënë një intervistë për Klan Kosova, ku ndër të tjera ka folur për Shqipërinë, kryeministrin Edi Rama si dhe miqësinë mes tyre.
Ai e quan Edi ramën, njeriun që po bën historinë përmes udhëheqjes së Shqipërisë dhe se duhet të ndjekin shembullin e tij.
Pjesë nga biseda:
Adriatik Kelmendi: Çfarë mesazhi do t’u dërgonit liderëve aktualë të Kosovës, për shtyrjen përpara të vizionit tuaj për shtetin?
Hashim Thaçi: Ripërsëris shpreh vetëm opinion, të ketë më shumë dashuri për shtetin dhe popullin, më shume dialog, tolerancë, bashkëpunim, respekt për njeri tjetrin. Dallimet politike do duhej t`i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme.
Shqipëria! Pas tri dekadash me ngritjet dhe rëniet e veta, Shqipëria po e përmbyll në mënyrë mbresëlënëse tranzicionin demokratik.
Sot, Shqipëria është një vend i respektuar dhe i besueshëm nga bashkësia ndërkombëtare. Është nder kur shihje Shqipërinë të udhëhiqte takimet e Këshillit të Sigurimit, me agjendë të koordinuar me SHBA-të dhe fuqitë tjera perëndimore. Shqipëria e zhveshi para botës agresionin rus në Ukrainë.
Shqipëria e mbështeti, mbrojti dhe afirmoi fuqishëm dhe dinjitetshëm shtetin e Kosovës. Shteti i Kosovës duhet t`i kontribuojë fuqizimit të Shqipërisë, e jo ngatërrimit të saj në rrugën evropiane. Shqipëria të mos kuptohet dhe trajtohet me mentalitet të lagjes së një cepi kombëtar, por në rrafshin gjeopolitik, ashtu siç edhe është shtet i respektuar anëtar i NATO-së. Sot, roli i Shqipërisë në rajon është lider në iniciativa për paqe dhe zhvillim.
Shqipëria me gjithë vështirësitë ka rienergjizuar konsolidimin e institucioneve demokratike, po i fuqizon reformat në politikë, drejtësi dhe ekonomi. Me këtë ecje është në rrugë të sigurt dhe të shpejt për anëtarësim në Bashkim Evropian. I mbetet vetëm standardizimi evropian. Shih vonesat që po i ndodhin Serbisë, Mali të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë… të gjithë ishin para Shqipërisë, ndërruan pozicionet. Shqipëria po udhëheq bindshëm rrugëtimin evropian nga vendet e rajonit.
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zotimi i Kryeministrit Rama për të organizuar Samitin e NATO-s në Tiranë në 2027 është impresiv dhe historik, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria në vetëm pak vite më parë nga një shtet i përçmuar dhe i tallur nga shumë anë, sot është shndërruar adresë – shembull i mirë i ndërtimit të historisë euroatlantike./Versus.al







