
Shtatë protestues të thirrur nga Partia Demokratike janë proceduar penalisht nga policia pas veprimeve të kryera prej tyre gjatë protestës së mbrëmshme.
Gjatë tensioneve mes turmës së protestuesve dhe policisë u hodhën bomba molotov nga protestuesit duke lënë të lënduar 3 efektivë policie. Ndaj protestuesve ka nisur hetimi për 3 vepra penale, ndërsa ndaj deputetit Klevis Balliu ka nisur hetimi duke qenë se ka qenë organizatori i protestës.
"Policia e Tiranës, menjëherë pas përfundimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike mbrëmjen e datës 08.05.2026, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë tubimit disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie, procedoi penalisht 7 shtetas. Nga këta: 6 për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”. Gjatë veprimeve, policia sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta", njofton policia.
Protesta e djeshme zgjati vetëm 90 minuta, me protestuesit që tentuan të marshonin drejt institucioneve të ndryshme, por nuk u lejuan nga kordoni i policisë. Kryedemokrati Sali Berisha tha në mbyllje të protestës se beteja vazhdon dhe se nuk ka ndalim protestash pa dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike. Versus.al


