Enkelejd Alibeaj, përfaqësuesi i koalicionit “Djathtas për Zhvillim” tërhoqi vëmendjen pak ditë më parë me listat e dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku u vu re se kandidate për deputete në listat e mbyllura, ishin familjarë të tij, përfshirë dy vajzat.
Së fundmi, Alibeaj së bashku me vajzat e tij ka publikuar një video në rrjetet sociale teksa ndalojnë para SPAK-ut, duke ironizuar kundërshtarët politikë të të dyja kaheve të cilët janë subjekt i hetimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Dy vajzat e tij, Gea 25 vjeçe dhe Megi, 19 vjeçe dhe mamaja e tij Valentina janë në listën e mbyllur të qarkut të Tiranës.
Ai u shpreh se ishte detyruar të bënte këtë strategji për t’u lënë votuesve mundësinë të zgjedhin të preferuarit në listat e hapura dhe sqaroi se të dyja vajzat do të dorëhiqen menjëherë pas zgjedhjeve.
Të njëjtën strategji zgjodhi fillimisht koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" i përfaqësuar nga Adriatik Lapaj i cili tha se të afërmit e tyre do të dorëhiqen me synimin që në Kuvend të hyjnë më të votuarit nga lista e hapur. Versus.al








