
Kryetari i komisionit të posaçëm Antikorrupsion, socialisti Fatmir Xhafaj mbajti sot një konferencë me gazetarët për të njohur opinionin publik lidhur me zhvillimet e arritura deri më tani nga ky komision dhe mbi mënyrën sesi pritet të vijohet më tej.
Ai tha se është përgatitur një dokument analitik për 3 fusha si mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit duke theksuar se do të ketë konsultim edhe me ndërkombëtarët.
“Jemi në fazën e parë të punës për ngritjen e komisionit të posaçëm anti-korrupsion, të hartimit të dokumentit analitik. Kemi një draft të parë të analizës në tre fusha, mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit, duke u mbështetur kryesisht në rekomandimet e BE si dhe një sërë raportesh zyrtare vendase dhe ndërkombëtare. Në dosjet që kam sjellë me vete është një material qindra dosjesh dhe përmbledhjet do të jenë publike në faqet ueb të komisionit dhe do t’i nënshtrohen një procesi konsultimi.
Ky draft do të konsultohet me grupet e interesit, përfshirë dhe institucionet shtetërore dhe agjencitë ekzekutive, veçanërisht ne negociatorët e BE për fushat respektive, për të vlerësuar përputhshmërinë e vlerësimeve, gjetjeve dhe problematikave të konstatuara me angazhimet e shtetit shqiptar në kuadrin e negociatave”- deklaroi Xhafaj.
I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë ndryshime në Kushtetutën e vendit, Xhafaj u shpreh se mund të ketë propozime të tilla.
“Ndoshta mund të ketë nevojë për ndryshime. Me sa shoh unë nuk ka, por mbase debati publik mund të nxjerrë nevojë për ndryshime. Deri tani janë propozuar vetëm ndryshime ligjore dhe institucionale. Nuk shoh propozime për ndryshime kushtetute. Por nga konteksti i analizës shoh nevojën për ndryshime ligjore dhe institucionale në këto tre fusha. Ky është proces, mund të ketë propozime gjatë tryezave dhe debatit”- tha deputeti.
Ndërsa sa i takon pyetjes nëse do të preket ligji organik i ekzistencës së SPAK, deputeti u shpreh se nuk ka asnjë propozim të tillë, përveç atyre të propozuara nga vetë institucionet.
“Vetë SPAK kanë propozuar ndryshime”, tha Xhafaj duke theksuar se komisioni nuk ka për qëllim të amnistojë asnjë të hetuar nga SPAK apo të dënuar nga GJKKO. Versus.al








