Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot, pa mbështetjen e opozitës, ndryshime në Aktin Normativ që lejojnë që emigrantët me dokumente të skaduara të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas këtyre ndryshimeve, dokumentet e skaduara të emigrantëve do të jenë të vlefshme deri më 31 maj 2025.
Me 76 vota pro, u miratua Akti Normativ nr. 1, i cili shton një nen në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”.
Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj ishte i vetmi nga radhët e opozitës që ka votuar pro miratimit të vendimit që zgjat vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave të skaduara për ata qytetarë që do të votojnë nga jashtë vendit, duke bashkuar votat me socialistët e mazhorancës.
Gjithashtu me 75 vota pro dhe 1 abstenim, u miratua Akti Normativ nr. 2, i cili shton një nen në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”.
Përveç kësaj, me 75 vota pro dhe 1 abstenim, u miratua edhe Projektvendimi që përcakton strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, të cilët do të punojnë për të mbështetur procesin e votimit nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet e 2025-s.
Këto ndryshime synojnë të lehtësojnë pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin zgjedhor, duke marrë parasysh që shumë prej tyre kanë dokumente të skaduara për shkak të vështirësive që kanë hasur për t’i rinovuar jashtë vendit.
Megjithatë, opozita nuk mbështeti këto ndryshime, duke ngritur dyshime për qëllimet e qeverisë dhe duke theksuar nevojën për transparencë dhe siguri në procesin zgjedhor./Versus.al







