POLITIKË /

Kuvendi mbyll seancën maratonë pas mesnate, kush ishin deputetët që “e gdhinë” në sallë

Në fund të seancës maratonë, në sallë ishin në total 3 deputetë.

Shkruar nga Versus

Kuvendi mbyll seancën maratonë pas mesnate, kush ishin deputetët

Seanca plenare e Kuvendit e nisur dje në orën 10:00 ka përfunduar pas mesnate, afërsisht rreth orës 02:30 të mëngjesit.

Në seancën maratonë, fillimisht u diskutua për interpelancën e kërkuar nga deputetët e opozitës me ministren e Bujqësisë për fondet e IPARD, ndërsa vijoi më pas me miratimin me 96 vota të projektdeklaratës që i kërkon Greqisë heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë.

Seanca maratonë vazhdoi me raportime të bëra nga institucione të ndryshme të vendit, mes tyre edhe Banka e Shqipërisë ndërsa përfundoi rreth orës 02:30, ku kryeparlamentara Lindita Nikolla tha se kishin mbetur edhe 5 projektrezoluta për të cilat kërkohet votim, por procesi do të zhvillohet ditën e sotme në orën 18:00 për shkak se në sallë pothuajse nuk kishte deputetë.

“Janë  edhe 7 projektvendime por nuk ka diskutim. Janë edhe 5 projektrezoluta për miratim për 5 institucionet e drejtësisë për të cilat diskutimi u zhvillua më 15 korrik. Iu njoftoj se votimi do të bëhet sot në orën 18:00.”- tha Nikolla në sallën e boshatisur të Kuvendit.

I fundit që e mbylli seancën duke folur për çështje jashtë rendit të ditës ishte deputeti i opozitës, Kasem Mahmutaj i cili foli për problemet e invalidëve në qarkun e Beratit. I pranishëm në sallë nga deputetët e opozitës ishte gjithashtu Dashnor Sula si dhe një deputet i mazhorancës. Versus.al

Poll