
Debate janë shënuar në Kuvendi i Shqipërisë, pasi është rrëzuar kërkesa për interpelancë e deputetit të opozitës, Xhelal Mziu, me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e hodhi në votim kërkesën, e cila u rrëzua me 74 votat e mazhorancës. Interpelanca kishte në fokus çështjen e fondeve IPARD.
Nga foltorja e Kuvendit, Mziu e cilësoi vendimin të padrejtë dhe kërkoi që t’i jepej e drejta për të zhvilluar interpelancën, duke theksuar se kërkesa ishte bërë prej javësh nga ai dhe një grup deputetësh.
Sipas tij, argumenti se çështja lidhet me hetime nga SPAK nuk qëndron, pasi Kuvendi dhe organet e drejtësisë kanë funksione të ndryshme.
“Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar prej javësh një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe në mënyrë të papritur ju zoti kryetar bëni anulimin e kësaj interpelance, për shkak se në një nga pikat kërkohet të diskutohet për fondet e IPARD-it, me pretendimin se ne futemi në kompetencën e SPAK-ut. Ju me pa të drejtë, meqenëse përmenden fondet e IPARD-it thoni se bie ndesh me SPAK. Është e paimagjinueshme. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Nëse SPAK heton individët për korrupsion, deputetët janë personat që marrin qeverinë në pyetje për problematikat e sektorit, siç është bujqësia. Është e padrejtë dhe dua të më jepet e drejta e interpelancës.”, tha Mziu.
Nga ana tjetër, Peleshi sqaroi se pas shqyrtimit të kërkesës, ajo është refuzuar pasi nuk plotësonte kushtet ligjore për t’u pranuar, duke qenë se çështja është nën hetim nga SPAK.
“Do të cënonte parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në këto rrethana kërkesa nuk mund të pranohet.”, tha Peleshi.

