POLITIKË /

Rama në Delfi / Vë gishtin tek mosmarrëveshjet me Greqinë për detin, përplasje e fortë për çështjen “Beleri”

Sipas tij, negociatat mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe synimi është që “brenda këtij viti” të arrihet një marrëveshje e plotë.

Shkruar nga Versus

Rama në Delfi / Vë gishtin tek mosmarrëveshjet me Greqinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në Forumin e 11-të Ekonomik të Delfit se ekziston një vullnet i qartë politik për të çuar përpara dhe për të mbyllur çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë të hapur mundësinë që një marrëveshje për delimitimin detar të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë brenda vjeshtës së ardhshme.

Sipas tij, negociatat mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe synimi është që “brenda këtij viti” të arrihet një marrëveshje e plotë.

“Ne kemi vendosur shumë kohë më parë që nuk duhet t'i lejojmë vendet tona të përfshihen në mosmarrëveshje... Duhet të shkojmë dhe t'i zgjidhim çështjet e pazgjidhura midis nesh”, tha Rama, duke shtuar: “Ambicia është ta përfundojmë këtë vit dhe në vjeshtë të njoftojmë se kemi një marrëveshje të plotë”.

Ai iu referua gjithashtu kontakteve të vazhdueshme mes ministrave të jashtëm të dy vendeve, duke theksuar se Tirana nuk sheh pengesa për referimin e çështjes në Hagë.

Në një pjesë të bisedës me gazetarin Alexis Papachelas, Rama u përfshi edhe në një diskutim me tone më të lehta, duke sqaruar deklaratën e tij të mëparshme për grekët dhe Platonin.

“Po bëja shaka kur thashë se ju nuk jeni pasardhës të Platonit”, tha Rama, duke shtuar se nuk kishte qëllim të fyejë kulturën greke dhe se deklarata ishte pjesë e një batute gjatë diskutimit.

“Armiqësi? Jo, kurrë. Kam një admirim të madh për këtë vend.”

Megjithatë, tensionet u rritën kur gazetari ngriti çështjen e arrestimit të Fredi Belerit, duke e përmendur si një temë të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe. Përpara se pyetja të përfundonte, Rama ndërhyri duke e ndërprerë, duke theksuar se çështja sipas tij ka marrë tashmë një zhvillim institucional dhe se Beleri është aktualisht eurodeputet.

Rama tha se çështja “Beleri” krijoi vështirësi në marrëdhëniet me kryeministrin grek Mitsotakis, por marrëdhënia e tyre ruan gjithnjë respekt. Ambicia e përbashkët është që deri në fund të vitit të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve.

“Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë, nuk ka dyshim, por kemi qenë gjithmonë respektues dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër. Unë e respektoj shumë për këtë.

Vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendet tona të përpihen nga këto lloj zënkash.

Ne duhet që njëherë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh. Ambicia jonë është të përfundojë brenda këtij viti dhe vjeshtën e ardhshme të përfundojnë të gjitha çështjet.


Kemi një aset të madh për ne, pakica greke dhe diçka që është aset për ju, shqiptarët që jetojnë këtu dhe janë të integruar”, tha Rama.

 

Poll