POLITIKË /

Interpelancë për KAYO-n në Kuvend, ministri i Mbrojtjes sqaron rolin e kompanisë: Është një shoqëri që prodhon siguri

Ministri Ermal Nufi prezanton funksionimin e KAYO-s dhe marrëveshjet në industrinë ushtarake gjatë seancës plenare.

Shkruar nga Versus
Interpelancë për KAYO-n në Kuvend, ministri i Mbrojtjes sqaron
Ermal Nufi

Në Kuvendi i Shqipërisë është zhvilluar një interpelancë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, lidhur me funksionimin e shoqërisë KAYO dhe rolin e saj në industrinë ushtarake.

Gjatë fjalës së tij, ministri sqaroi se KAYO nuk është konceptuar si një kompani prodhuese në kuptimin klasik, por si një strukturë holding që bashkëpunon me kompani të specializuara dhe investitorë privatë në fushën e mbrojtjes.

Sipas tij, ky model synon të tërheqë kapital privat dhe të kontribuojë në zhvillimin e industrisë ushtarake shqiptare, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe angazhimet e vendit si anëtar i NATO-s.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se përmes kësaj strukture janë siguruar marrëveshje me Izraelin për prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së avancuar, të cilët pritet të rrisin kapacitetet e forcave tokësore.

Ai shtoi se bashkëpunimi me kompani të specializuara në prodhimin e municioneve mund të sjellë përfitime ekonomike deri në 400 milionë euro dhe të krijojë mbi 1 mijë vende pune.

Sipas Nufit, deri më tani buxheti i shtetit për KAYO-n ka qenë rreth 3 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e investimeve vjen nga kapitali privat.

Nufi: Është rast shumë i mirë të prezantoj detyrat e shoqërisë KAYO. KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por qëllimi i saj është të ketë një funksion holding, pra të bashkëpunojë me kompanitë e prodhimit të mjeteve ushtarake. Ky është një model ndërkombëtar dhe qëllimi është të angazhojë kapitale private dhe jo shtetërore. Fusha e ushtrisë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është e vërtetë që edhe në vende të tjera ka kompani private që prodhojnë, janë private jo shtetërore. KAYO është themeluar në vitin 2024. Kjo është një praktikë që i shërben transparencës. Ka vende në BE që sot kanë prodhuesin dhe rregullatorin që bashkëpunojnë, pra nuk është Shqipëria rasti i vetëm. Qëllimi i KAYO-s është rijetëzimi i industrisë ushtarake shqiptare, si një angazhim që Shqipëria duhet ta marrë si anëtare e NATO-s.

Në kundërshtim nga çfarë pretendon deputeti i nderuar, që i gjykoj të nxituar dhe aspak serioze për sa kohë flasim për sigurinë kombëtare dhe kapacitet prodhues në Republikë, do të ishte shumë e drejtë të ishte një realitet tjetër, sot fqinjët tanë kanë 5 miliardë euro në vit fitim nga industria ushtarake përveç faktit që forcat e ushtrisë kanë rezerva të garantuara për sigurinë kombëtare. Kjo shihet me dritëhije se funksionon me partnerë privatë, patjetër që është ashtu sepse ata investojnë me kapital, deri tani buxheti i shtetit për shoqërinë janë 3 milion euro, të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë patjetër nga kapitali privat./Versus.al

Tags:

ermal nufi

Poll