
Duke u ndalur tek debati për projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, Rama i quajti pretendimet në rrjetet sociale si të pavërteta dhe të manipuluara.
Në fjalën e tij, pasditen e sotme gjatë një aktiviteti me strukturat e PS në Berat, Rama tha se janë përhapur aludime se zona e Zvërnecit dhe Vlora do të përdoren për vendosjen e grupeve të huaja.
Sipas tij, këto narrativa “skandaloze” përbëjnë dezinformim dhe janë shpërndarë nga individë dhe faqe në rrjete sociale që synojnë të nxisin frikë dhe ndasi në publik.
Ai akuzoi gjithashtu disa grupe që i cilësoi si “pseudo-myslimanë” për përhapjen e lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes.
Rama tha se transformimi i vijës bregdetare ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të vlerës së pronave në zonat turistike dhe se pronat i përkasin qytetarëve shqiptarë, duke hedhur poshtë pretendimet se zhvillimi përbën humbje të kontrollit mbi territorin.
Ai shtoi se projekti në Zvërnec, me një vlerë të përfolur prej miliarda eurosh, do të kalojë të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, përfshirë studime të detajuara nga studio ndërkombëtare, përpara se të jepet leja përfundimtare e ndërtimit.
Kryeministri theksoi se protestat që kundërshtojnë zhvillimin turistik dhe ekonomik janë nga verbëria dhe keqdashja.
Edi Rama: Sot transformimi i gjithë vijës bregdetare pa filluar ky investim e ka rritur 4 fish vlerën e pronës. Ato janë prona të shqiptarëve. Ça do me thënë kjo që Shqipërinë nuk ja japim të huajve.
Ça do me thënë që Shqipëria është e shqiptarëve. Kush e ka vënë në diskutim. Puna si do ti bëjmë shqiptarët që të ndjehen në shtëpi. Si qytetarët të barabartë me vendet e tjera, apo që ka mundësi të bëhet konkurrues por nuk bëhet se ka frikë. Kush proteston duhet të nxjerrë projekti për cilin proteston?
Nuk kanë si e nxjerr, se projekti nuk ka dalë akoma, se po punohet për 3 vitesh, në emrin tuaj në interesin e shqiptarëve kemi mbajtur gjatë gjithë kohës një qëndrim shumë kërkues për një projekt që do sjellë 4 mld euro në Shqipëri.
Kemi qenë shumë kërkues për të gjitha këto shqetësime që kanë ata që bien pre e manipulatorëve e disa pseudo myslimanëve që përhapin një legjendë skandaloze që Zvërneci është shitur te Izraeli dhe aty do vijnë palestinezët.
Madje përhapin dhe video ku kërkojnë emrin mbiemrin e atij rojes që bëri atë akt skandaloz dhe e duan sepse duan ta vrasin dhe e thonë. Dhe vënë lek, euro në ato faqe e tyre të ndyra. Duke i bërë thirrje urrejtjes. Duke përdorur manipulimin e rrjeteve sociale. Ça myslimanësh janë ata? Versus.al

