POLITIKË /

“Projekti më serioz në 13 vitet e fundit”, Berisha flet për investimin në Zvërnec: PS po tenton ta pengojë!

Berisha e cilësoi projektin si një nga investimet më të rëndësishme të huaja të viteve të fundit në Shqipëri

Shkruar nga Versus

“Projekti më serioz në 13 vitet e fundit”, Berisha flet

Kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë lidhur me projektin e resortit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnec, një investim që kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën parlamentare sot pasdite, Berisha e cilësoi projektin si një nga investimet më të rëndësishme të huaja të viteve të fundit në Shqipëri.

Por ai akuzoi nga ana tjetër qeverinë se, po krijon klimë pasigurie për investitorët e huaj.

Sipas tij, vendi po përballet me një mungesë të investimeve të mëdha ndërkombëtare dhe largimi i investitorëve përbën një problem serioz për ekonominë shqiptare.

“Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, të cilat janë jetike për zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria nuk mund të përballojë largimin e investitorëve seriozë”, deklaroi Berisha.

Duke komentuar kundërshtimet e banorëve të zonës, të cilët pretendojnë se projekti prek prona që u përkasin atyre, lideri demokrat theksoi se e drejta e pronës duhet të respektohet plotësisht. Ai u shpreh se shteti ka detyrimin të verifikojë çdo pretendim, të hetojë çdo parregullsi të mundshme dhe, në rastet kur konstatohet cenim i të drejtave të qytetarëve, të garantojë dëmshpërblimin sipas vlerës së tregut.

Berisha argumentoi se investitorët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për konfliktet pronësore që mund të lindin pas miratimit të projekteve nga institucionet shtetërore.

Sipas tij, përgjegjësia për verifikimin e dokumentacionit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bie mbi shtetin dhe organet kompetente.

Në fjalën e tij, ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar protestat e fundit në Zvërnec, duke e cilësuar si të papranueshëm trajtimin e një protestuesi nga forcat e rendit gjatë incidenteve të raportuara në zonë.

Sali Berisha: Por në gjithë këtë histori që shihni, investitori i vetëm në 13 vite është i huaj. Si ta largojmë dhe ta dëbojmë nga Shqipëria? Po ju them unë: prej 3 vitesh nuk ka asnjë investitor të huaj në tokën shqiptare. Trembëdhjetë vite thotë Europa: në asnjë tender në Shqipëri nuk janë futur kompani europiane. Një nga kompanitë më të fuqishme, që do të ndërtonte një resort turistik në Lalez, u largua.

Asnjë investitor i huaj. Çfarë po ndodh? Cili është qëndrimi i PD-së? Ne besojmë se investimet e huaja janë të një rëndësie jetike për zhvillimin e Shqipërisë, sikundër që gjatë periudhës që qeverisëm, në Shqipëri u garantuan investimet më të mëdha në historinë e këtij vendi. Vetëm në fushën e energjetikës, 2 miliardë euro.

Çfarë ndodh tani? Tani unë po ju them prapë: PD mbështet investimin e huaj dhe ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Po e largoni. Vetë më tha ai: “Ju më votuat mua”. E hoqi maskën.

Britma për çështje pronësie? PD qëndron për respektin e plotë dhe absolut të së drejtës së pronës. Cila ka qenë zgjidhja në një kohë kur investoheshin miliarda këtu? Po qe se ke projekt të miratuar nga qeveria, me dokumente të firmosura nga institucionet zyrtare, kadastra dhe agjenci të tjera, dhe shteti ta miratonte projektin, askush tjetër nuk kishte më punë me investitorin.

Çdo qytetar, për çdo parregullsi, për çdo abuzim, kishte shtetin, i cili do ta dëmshpërblente atë me kushtet e tregut dhe më pas do të ndëshkonte me forcën e ligjit falsifikatorin dhe spekulantin. Ky ligj është në fuqi. Po ku keni ligj ju? Keni vetëm ligjin e xhepit. Versus.al

Poll