
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot funksionimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se 83 mandatet e fituara nga partia e tij nuk janë vetëm fitore, por edhe detyrim për respekt ndaj zgjedhësve të palës tjetër.
Rama nënvizoi rëndësinë e sigurimit të hapësirës për opozitën për të folur në Kuvend dhe komisionet parlamentare, por paralajmëroi se përdorimi i dhunës, zhurmës apo sharjeve do të ketë pasoja, duke mundësuar mbylljen e seancës dhe procesin e votimit.
Ai shtoi se respekimi i kufirit etik, standard i çdo parlamenti të Bashkimit Europian, është parakusht për funksionimin normal të ligjvënësve.
Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur edhe se Diella, ministrja më e re kabinetit qeveritar dhe e para me AI në të gjithë botën brenda vitit të parë të legjislaturës do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë, duke marrë rol aktiv në vendimmarrje.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
PËR NE, 83 MANDATET E 11 MAJIT, janë ndër të tjera edhe një detyrim për të respektuar pa rezervë zgjedhësit e palës tjetër, duke u dhënë përfaqësuesve të tyre në Kuvend të gjithë hapësirën për të folur dhe ushtruar aktivitetin parlamentar, jo vetëm të papenguar po edhe të mirëkuptuar në çdo hap.
Por ato mandate janë po ashtu, edhe një detyrim i madh ndaj zgjedhësve tanë, për t’i vënë një kufi të pakalueshëm kujtdo që në sallën e parlamentit përdor duart, këmbët, trupin si argument dhe zhurmën apo sharjet e rrugës si alternativë opozitare.
Mjafton që të respektohet ai kufi, i cili është kufiri i pakalueshëm etik i çdo parlamenti të Bashkimit Europian, dhe opozita do të ketë e papenguar të gjitha hapësirat e saj në sallën e Kuvendit apo në komisionet parlamentare, ashtu sikundër do të ketë edhe të gjithë vëmendjen tonë. Ndërsa shkelja e atij kufiri, për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit me veprimtari të papërshtatshme fizike apo me piskama ofenduese, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës.
*Bashkëngjitur fjala e parë e Diellës në Kuvendit e Shqipërisë, e cila u transmetua nga monitorët e sallës ndërkohë që çka nuk arrita dot të them ndër të tjera, ishte se me shumë gjasë, brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë./Versus.al







