POLITIKË /

Miratohet VKM për transportin e ushtarakëve aktivë, Nufi: I afrohemi synimit për pagat mesatare sa vendet e NATO-s

Nufi u pyet edhe lidhur me deklaratat e Serbisë lidhur me marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë në bashkëpunimin ushtarak, por u përgjigj duke thënë se vendi ynë po zbatonte prioritetet në fushën e sigurisë në përputhje të plotë me sugjerimet e NATO-s.

Shkruar nga Versus
Miratohet VKM për transportin e ushtarakëve aktivë, Nufi: I
Ermal Nufi

Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e përjavshme duke marrë disa vendime në fusha të ndryshme. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri me dije se qeveria kishte miratuar projektvendimin që lidhet me përcaktimin e kritereve të kompensimit të transportit të ushtarakëve aktivë.

Sipas tij, ky VKM i shërben synimit të vendit që në 2029-ën të përafrohet me mesataren e vendeve të NATO-s sa i takon pagave për ushtarakët në nivelin bazë dhe atë komandues.

“Sot në mbledhjen e këshillit të ministrave miratuam një VKM që lidhet me përcaktimin e kritereve dhe masave të kompensimit të transportit të ushtarakëve aktiv të FA. Në zbatim të ligjit shohim efekte financiare që përballohen nga buxheti i ministrisë së Mbrojtjes. Ky projektvendim përkthehet në kushte më dinjitoze për ushtarakët tanë që na përfaqësojnë këtu dhe  në misionet e huaja.

Ky hap është në përputhje edhe me politikat e tjera të qeverisë, rritjen e pagave. Nga të dhënat e INSTAT-it, rritja e pagave në fund të vitit të kaluar është regjistruar në pikën më të lartë në FA me 10.6%. Me këtë vendim i afrohemi qëllimit tonë që në vitin 2029 të arrijmë mesataren e vendeve të NATO-s me një rritje me 67% për nivelet bazë dhe 37% për nivelet bazë të komandimit. Sot Shqipëria është një nga vendet me pagë mesatare ndër më të lartat në rajon dhe kjo është gjë që na bën krenarë”- u shpreh Nufi.

Sa i takon shqetësimeve të Serbisë për marrëveshjen mes Shqipërisë, Kosovës e Kroacisë në fushën e bashkëpunimit ushtarak, Nufi tha se vendi ynë thjesht po zbaton kriteret e NATO-s në përputhje të plotë me sugjerimet e aleatëve. Versus.al

Poll