Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit “direkt” me komentuesit në rrjetet sociale, u përqendrua sërish tek retorika e nevojës që PS të ketë një mandat të fortë në zgjedhjet e 11 majit, sipas tij për të futur vendin në Bashkimin Europian.
Ai u shpreh i bindur se do të jetë sërish shumicë në Kuvend, por kërkoi që shifrat e mandateve të jenë tepër të larta dhe jo vetëm 71 të nevojshme për formimin e mazhorancës.
I pyetur për sloganin “Shqipëria 2030”, Rama tha se nuk e di nëse do të jetë ai në qeveri asokohe, por u shpreh i bindur se vendi do të jetë anëtarësuar në BE.
“Nuk është puna këtu a do marrim ne 71 deputetë se kjo nuk diskutohet. Puna është që të kemi një mandat të fortë që mos të na dalë njeri përpara për të penguar negociatat. Pastaj s’jam unë 2029-ën, s’ka rëndësi, kemi kryer punë ne. Pak a shumë ratifikimi merr një 2 vjeçar, unë besoj se do bëhet edhe më shpejt për shkaqe që dihen. A jam unë që shkoj atje dhe ulem për herë të parë tek ajo “Albania” apo është një tjetër, nuk ka pikë rëndësie. Unë ama do ta vë atë Albanian atje. Edhe do ta marr përdore këdo që do jetë, që besoj do jetë socialist/e dhe do i them ulu atje, vazhdoni ju gjenerata e TikTok drejtoni Shqipërinë”- tha Rama. Versus.al







