POLITIKË /

Ngërçi mes Kushtetueses dhe Begajt për Veliajn, Rama mbledh nesër strukturat e Tiranës

Në fokus të takimit do jetë organizimi për zgjedhjet e bashkisë Tiranë që sipas dekretit të presidentit pritet të mbahen më 9 nëntor.

Shkruar nga Versus

Ngërçi mes Kushtetueses dhe Begajt për Veliajn, Rama mbledh

Ndërkohë që Erion Veliaj vijon me betejën e tij në Gjykatën Kushtetuese të cilës i kërkon të hedhë poshtë dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e bashkisë së Tiranës, socialistët vijojnë të pashqetësuar me organizimin e strukturave në mbështetje të kandidates Ogerta Manastirliu.

Mësohet se kreu i qeverisë, Edi Rama do të mbledhë nesër në orën 16:30 strukturat politike të Tiranës për sa i takon punës përgatitore për zgjedhjet e parakohshme të 9 nëntorit. Takimi do të mbahet në një prej hoteleve në qendër të Tiranës.

Nga ana tjetër, PD ende nuk ka një emër të dakordësuar e partitë opozitare për ta nxjerrë si kandidat të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme. Një ditë më parë, presidenti Bajram Begaj dekretoi 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme për Tiranën dhe për 5 bashki të tjera që janë pa drejtues. Kjo shkaktoi paqartësi për shkak se Gjykata Kushtetuese e kishte marrë në shqyrtim ankimin e Veliajt për shkarkimin si kryebashkiak dhe në rast të tillë, procesi zgjedhor duhet të pezullohet. Versus.al

Poll