
Në Kosovë janë numëruar 99% e votave të zgjedhjeve të mbajtura ditën e djeshme. Ashtu siç parashikohej, Vetëvendosja ka dalë sërish forcë e parë me 43.44% të votave, por duke shënuar një rënie krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në dhjetor.
Rezultatet e pasqyruara, paraqesin një fitore bindëse të Vetëvendosjes në 7 komunat e mëdha. “Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e Lëvizjes në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti para një numri të madh qytetarësh duke premtuar se do të takohet me të gjitha partitë politike për zgjedhjen e presidentit dhe se do të tejkalohen krizat aktuale.
Rezultatet vazhdojnë të jenë preliminare deri në përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha votave dhe verifikimit të tyre. Këto ishin zgjedhjet e treta të parakohshme të Kosovës në 11 muaj. Shkak për krizën politike së fundmi u bë dështimi në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Versus.al

