
Adriatik Lapaj ka reaguar ashpër në rrjetet e tij të komunikimit pas letrës që Zeqir Kordhoni, daja e Endrit Shabanit i ka dërguar KQZ-së.
Ai shpreh zhgënjimin e tij për mënyrën si po menaxhohet procesi dhe akuzon për ndërhyrje të qëllimshme për ta penguar që të marrë mandatin e deputetit.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem,” deklaroi ai në një postim të drejtpërdrejtë, ku shënjestron dhe emra konkretë brenda lëvizjes.
Më pas kreu i 'Nismës Shqipëria bëhet' duke shënjestruar Kordhonin së bashku me Shabanin, thekson se të dy nuk do të marrin mandat pavarësisht përpjekjeve, siç thotë ai, për ta përjashtuar nga Kuvendi.
Ai e cilëson të gjithë këtë situatë si “padrejtësi publike” që po i bëhet jo vetëm atij, por edhe gjithë ekipit të “Shqipëria Bëhet” dhe se do të jetë populli ai që do gjykojë në fund.
Postimi i plotë i Adriatik Lapajt:
Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.
Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!
Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta "të rinjtë", deri dhe te ky që e futa në gji...nga të gjithë.
Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Populli do gjykojë.
Në letrën dërguar KQZ-së, Kordhoni i cili është pjesë e listës së mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit ka kërkuar që, në rast shpalljeje si fitues, të ushtrojë mandatin e deputetit./Versus.al/







