
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, pas thirrjes së zyrtarit të lartë amerikan për të luftuar kartelet shqiptare të drogës, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA, Donald Trump që t’i shpallë organizata terroriste.
Sipas tij, në Shqipëri kartelet e drogës kryesohen nga vetë kryeministri Edi Rama.
“Por në qëndrimin e SHBA, ka një ndryshim cilësor, shumë të rëndësishëm. Prokurorja e përgjithshme Bondi flet për kartele droge. Presidenti Donald Trump, kartelet e drogës në disa vende i ka shpallur si grupe terroriste. I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, të cilat janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Europë dhe në botë.
Të cilat lëvizin miliarda, miliarda, miliarda euro, para droge dhe që i lajnë ato lirshëm, pa asnjë lloj kufizimi në Shqipëri me firmën e kreut të këtyre karteleve, kreut të organizatave kriminale, Edi Rama. Deklarimi si organizata terroriste i organizatave mafioze të Shqipërisë është një kontribut serioz, i madh, për sigurinë në Shqipëri, për sigurinë në rajon, për sigurinë e NATO-s dhe Europës e më gjerë”- deklaroi Berisha.
Më tej shtoi se demokratët janë të gatshëm të paraqesin çdo provë që fakton përfshirjen e Ramës dhe të socialistëve të tjerë në kartelet më të rrezikshme të rajonit.
“Ndaj dhe garantoj se PD është e gatshme të paraqesë çdo dokument, çdo provë që fakton implikimin direkt të Edi Ramës, Olsi Ramës, Taulant Ballës, Ervin Hoxhës dhe shumë të tjerëve në aktivitetet e karteleve më të rrezikshme të rajonit dhe botës. Pra, jam këtu para jush për të theksuar edhe njëherë para shqiptarëve se dita e djeshme shënon një moment kthese shumë të rëndësishme për shqiptarët, për Shqipërinë, rajonin dhe Europën, damkosjen e grupeve kriminale shqiptare, organizatave të lidhura me qeverinë dhe Edi Ramën, si kartele droge.
Të gjithë ata të cilët hezitonin apo u dukej paksa i largët, si i çuditshëm, etiketa e narkoshtetit në Shqipëri, tani nuk duhet të kenë më asnjë dyshim. Shqipëria është shteti i karteleve të drogës. Shqipëria ishte dhe është narkoshtet edhe para krijimit të karteleve, por krijimi i karteleve është rezultat i politikave zyrtare që Edi Rama ndoqi nga viti 2015 gjer sot. Kartelet e drogës në Shqipëri janë edhe vendimmarrësit më të fuqishëm në qeveri, në parlament, në qeveritë vendore”- shtoi më tej kryedemokrati. Versus.al







