
Gjatë intervistës me gazetarin Richard Attias, Rama u pyet për pikëpamjen gjeografike të vendit dhe për kulturën e larmishme me besimet fetare të cilat janë në tolerancë të plotë me njëra-tjetrën.
Sa i takon përcaktimit të gazetarit i cili e konsideroi vendin tonë si “Zvicra e re”, Rama tha se nuk arrijmë dot të jemi të përsosur si zvicerianët pasi në atë moment do të ishim të mërzitshëm. Ndërsa shtoi më tej se Shqipëria është e bekuar nga Zoti, por e mallkuar nga historia.
Pjesë nga intervista:
Richard Attias: Kur më pyesin për Shqipërinë, nuk e di nëse të pëlqen krahasimi, por unë mendoj se jeni Zvicra e re e Europës. Jeni fiks në qendër të Europës dhe nga pikëpamja gjeografike keni edhe shumë të drejtë të jeni në qendër për Europën. E dyta, kultura. Larmia e kulturave, larmia e besimeve fetare, një vend i paqtë, një vend tolerance. Pse keni qenë kaq të heshtur deri më sot? E gjithë bota po zbulon tashmë Shqipërinë, po zbulon Tiranën. 90% e delegatëve tanë janë habitur pozitivisht me zgjedhjen që bëmë dhe mendoj se është vetëm fillimi. Si prisni të jetë e ardhmja e Shqipërisë?
Edi Rama: Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse nga njëra anë, ne – mendoj – nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, nëse do të bëheshim atëherë Shqipëria do të ishte e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësitë, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, e ushqimit, por ku nuk humbet buzëqeshjen. Na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë kemi pasur dhe kontributin tonë për shumë vite e shekuj. Ky vend me një territor shumë të vogël, vetëm 28 mijë kilometër katror, ku gjen dy dete, male, 9 lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, një vend për të investuar. Versus.al







