POLITIKË /

Partitë ndezin sot ‘motorët’ e fushatës elektorale për 11 majin! PS simbolikë yjet e BE, PD e nis në Tiranë! Partitë e reja me risi

Shkruar nga Versus

Partitë ndezin sot ‘motorët’ e fushatës elektorale

Partitë politike nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pavarësisht se takimet elektorale kanë nisur prej javësh tashmë, e premtja do të shënojë kalendarin zyrtar të nisjes së tureve politike në të gjithë zonat e vendit me mitingje ku forcat politike shpalosin programin e tyre para qytetarëve me të drejtë vote.

Gara këtë herë, pritet të jetë më e ashpër mes kandidatëve që janë të renditur në listat e hapura të qarqeve, pasi nuk ka më rëndësi thyerja e herësit, por atyre në listë të mbyllur, do të hyjnë në Kuvend vetëm deputetët me më së shumti vota. Çdo forcë apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.

Socialistët me në krye Edi Ramën si kryeministër, kërkojnë mandatin e katërt qeverisës pas rreth 12 vitesh në pushtet me sloganin “Shqipëria në BE”. PS zgjodhi që dita e nisjes së fushatës së tyre të mos ishte ajo e sotmja, por e shtuna më 12 prill duke e simbolizuar datën 12 me numrat e yjeve në flamurin e BE.

Retorika e përdorur nga socialistët pas shumë taktikave të përdorura në zgjedhjet e mëparshme, tashmë është ajo e anëtarësimit në BE. Kryeministri Rama dhe zyrtarët më të lartë të partisë në daljet e tyre janë kujdesur të kërkojnë votën me pretendimin se do të anëtarësojnë Shqipërinë në BE, pavarësisht problematikave që kanë qytetarët. Sot socialistët do të kenë takime me gratë në të gjithë vendin për të simbolizuar rëndësinë e tyre në parti. Ndërsa nesër në orën 12:00 në sheshin “Skënderbej”, PS nis zyrtarisht garën elektorale.

Demokratët nga ana tjetër, kërkojnë rikthimin në pushtet pas 12 viteve të kaluara në opozitë. Kryetari Sali Berisha ka prezantuar në daljet e tij për mediat programin i cili sipas tij do t’i japë frymë ekonomisë dhe do të zhvillojë prodhimin e brendshëm të vendit duke rritur eksportet me vendet e tjera. PD e nis fushatën sot në orën 19:00 në sheshin “Nënë Tereza” ku Berisha ka ftuar demokratët të jenë të pranishëm. PD është në koalicion me 25 parti të tjera opozitare të cilin e kanë quajtur “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Partitë e reja

Një risi në çeljen e fushatës elektorale e sjell partia “Mundësia” e Agron Shehajt që do të zhvillojë një tur me autobus të personalizuar nga Shkodra në Gjirokastër. Nisja do të bëhet nga Shkodra në orën 08:00 të mëngjesit duke kaluar më pas në Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Selenicë e për ta mbyllur më pas në Sarandë në orën 20:00.

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.

‘Nisma Shqipëria Bëhet’ me drejtues Adriatik Lapajn, do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin “Flamurtari”. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: