POLITIKË /

Pas mbështetjes nga opozita, një tjetër parti e re del krah kandidatit të pavarur Florjan Binaj për Tiranën

Shkruar nga Versus
Pas mbështetjes nga opozita, një tjetër parti e re del krah
Florjan Binaj, kandidat i pavarur për Tiranën

Partia “Nisma Thurje” ka dalë në mbështetje të kandidatit të pavarur Florjan Binaj për të qenë kryebashkiaku i ri i Tiranës. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, kryetari Endri Shabani shkruan se kryesia kishte marrë vendimin për ta mbështetur Binajn.

Teksa rendit disa prej atyre që i konsideron cilësitë më të mira të aktorit të mirënjohur dhe së fundmi moderatorit, Shabani shkruan se me një kryebashkiak si Binaj, Tirana dhe gjithë vendi do të fitojë shpresë.

Postimi i plotë i Endrit Shabanit:

Florjan Binaj, zëri i qytetarëve të lirë

Sot, Kryesia e Nismës Thurje vendosi që në këto zgjedhje të mbështesim kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj. Ky vendim lidhet kryesisht mbi vlerat që Florjan Binaj ka treguar në gjithë këto vite aktivizëm.

Si aktivist, Flori ka treguar përkushtimin të jetë gjithmonë në anën e qytetarëve. Me të kemi protestuar përkrah në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, në mbrojtje të lumit Vjosa, në protestat kundër rritjes së çmimeve apo shumë padrejtësive të tjera sociale.

Si gazetar Flori ka treguar guximin për të denoncuar korrupsionin. Ai ka folur hapur, pa filtra. Në një qytet ku propaganda ka zëvendësuar të vërtetën, zëri i tij ka mbetur i pastër dhe pavarur.

Tirana ka nevojë për një frymë të re, për njerëz që nuk janë pjesë e sistemit që e ka rrënuar.

Prandaj, jemi të bindur si kryetar bashkie Flori do i japë shpresë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Si këshilltar bashkiak, për mua do të ishte nder të punoja me kryetarin Florjan Binajn për të siguruar ushqimin në shkolla, për transportin publik dhe për ta kthyer Tiranën në një qytet që i përket shumicës, jo interesave të pakicës.

Më herët gjatë ditës së sotme, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se do ta mbështesnin kandidaturën e pavarur të Florjan Binajt për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor. Më herët edhe Lëvizja Shqipëria Bëhet, shprehu mbështetjen për kandidaturën e Binajt. Versus.al

Poll